Komuna e Ferizajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të grumbullimit të mbeturinave, pasi punëtorët e KRM “Pastërtia” kanë hyrë në grevë.
Në lidhje me këtë, drejtori i Shërbimeve Publike në Ferizaj, Arben Halili, ka thënë se greva është e paqartë dhe e paligjshme.
“Janë situata të paligjshme sepse janë shërbime emergjente të cilat hyjnë në këtë kategori me FSK-në, policinë dhe zjarrfikësit”.
“Këto shërbime nuk kanë të drejt të grevës së përgjithshme, mund të protestojnë, mund t’i shprehin pakënaqësitë e tyre por duhet të sigurohen kushtet minimale për operim sepse në të kundërtën e rrezikojnë shëndetin publik”, tha ai në “Edicioni Special”.
Tutje, ai tha se një gjë e tillë po ndodh tash e disa herë, teksa shtoi se kërkesat e punëtorëve të KRM “Pastërtia” nuk dihen, pasi sipas tij, herë kërkojnë paga më të larta e herë ndryshime në menaxhment.