​Mbyllja e terminalit doganor në Ferizaj nuk sjellë dobi për shtetin dhe bizneset

Ferizaj

​Mbyllja e terminalit doganor në Ferizaj nuk sjellë dobi për shtetin dhe bizneset

Më: 7 maj 2024 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Përfaqësuesit e bizneseve dhe njohësit e çështjeve ekonomikethonë se Qeveria e Kosovës duhet ta rishqyrtoj politikën për terminalet, pasi shtetëzimi i tyre nuk ka sjellë dobi, por vetëm përfitime për kompanitë transportuese që mbi 90% të tyre vijnë nga Serbia dhe shtetet e tjera.

Terminali Doganor në Prizren është i fundit, të cilit i kishte skaduar licenca e operimit në vitin 2023. Ndonëse komisioni i caktuar nga ministria e Infrastrukturës, kishte rekomanduar që ky terminal i plotëson kushtet për vazhdim të licencës, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, dhe ky terminali u mbyll për t’u zhvendosur në Vermicë, si terminal shtetëror.

Tani edhe terminalit Doganor në Ferizaj do t’i skadojë licenca më 24 qershor të këtij viti. Ndonëse terminali ka bërë kërkesë për ri-licencim në kohë, Komisioni për shqyrtim dhe vlerësimin e kërkesës ende nuk ka shkuar në këtë terminal dhe ende nuk ka asnjë përgjigje.

E afër 300 biznese dhe rreth 30 agjentë doganorë të cilët operojnë në terminalin e Ferizajt kanë nënshkruar peticione, të cilat u drejtohen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre në lidhje me mosvazhdimin e licencës së terminalit në Ferizaj. Ata kërkojnë që t’i vazhdohet licenca e operimit këtij terminali, pasi nuk kanë asnjë ankesë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Televizionin Publik, se terminali në Vermicë, nuk i plotëson kushtet minimale për operim, madje as ato higjieno sanitare. Kjo ka bërë që bizneset dhe agjentët doganor në Ferizaj të alarmohen se e njëjta gjë do t’u ndodhë edhe atyre.

Unë jam i bindur se qeveria, në qoftë se e analizon situatën mirë do ta sheh se nuk është e dobishme që mos t’i vazhdohet licenca Terminalit Doganor në Ferizaj, sepse aty shërbehen të gjitha bizneset jo vetëm të rajonit të Ferizajt mirëpo shërbehen edhe bizneset e rajonit të Gjilanit, por edhe një pjesë e Komunës së Prishtinës bashkë me Lipjan, dhe kjo do t’i dëmtonte shumë këtu biznese dhe kish me ja u rrit koston shumë të madhe. Terminali i Prizrenit i cili ishte i fundit dhe nuk u veprua ashtu siç do të duhej të veprohej në mënyrë ligjore dhe për të gjetur një zgjidhje të vullnetit të mirë por edhe për të vepruar siç veprojnë terminalet në Pejë por edhe atë të Merdares, zhvendosja e oficerëve doganor dhe vendosja në një vend të improvizuar, kjo ju ka ndez alarmin agjentëve doganor dhe bizneseve në Ferizaj që tani do të ndodh një situatë e njëjtë dhe ata do të shkojnë në një vend ku nuk ka kushte elementare për ta bërë punën, nuk ka kushte elementare fito-sanitare, nuk ka kushte elementare të sigurisë. Shikoni, çdo terminal doganor duhet t’i ketë të gjitha kushtet e sigurisë, për arsye se një biznes, vlera e mallit e një biznesi i cili hyn në procedurë të doganimit në një terminal doganor mund të shkojë deri në 1 milion euro. Çka nëse zhduket, çka nëse merr një zjarrë, kush i kompenson bizneset, nuk ka siguri ju lutem, duhet me marrë me shumë seriozitet dhe duhet me kuptu ku është problemi, kështu që le të gjej qeveria çfarë do zgjidhje, çfarëdo kushtet le të kërkon por vetëm t’i siguron kushtet që kërkohen”, ka thënë Rafuna në RTK.

Eksperti i ekonomisë, Ismet Mulaj i tha RTK-së se derisa bizneset me peticione kërkojnë që t’i vazhdohet licenca e operimit, kjo tregon se ato janë të kënaqura me shërbimet që i marrin dhe se nuk kanë asnjë ankesë. Ai kërkon që vendimet e qeverisë të jenë konform kërkesave të bizneseve.

Ka praktika të ndryshme, edhe në vendet në rajon por edhe në kuadër të BE-së, ku ka edhe terminale publike, shtetërore si dhe terminale private. Nxitja e konkurrencës ndërmjet publikes dhe privates, vetëm i sjellë dobi biznesit, por sipas bindjeve të mia dhe analizave që sot janë, biznesi nuk ka pasur asnjë ankesë në raport me terminalet doganore, edhe sa i përket shërbimeve por edhe çmimeve, prandaj tendenca për të shtetëzuar të gjitha terminalet private që sot ekzistojnë, nuk është politikë e drejtë dhe nuk shkon në harmoni me kërkesat që i kanë bizneset. Bizneseve u intereson çmime konkurruese dhe shërbime të shpejta. Në rastin e keq, shteti kurrë, jo vetëm në Kosovë, po në asnjë vend tjetër nuk është institucioni që kryen shërbime shpejt, prandaj binzesit i duhen shërbime të shpejta. Unë i bëj thirrje kësaj qeverie që ta rimendoj shumë mirë politikën e terminaleve doganore. Po jam që të ketë, një, dy, tri termianale shtetërore por të lejohen të afarojnë edhe bizneset private të cilat sot vetëm janë duke punuar. Në këtë rast, terminali doganor i Ferizajt ka kryer shërbime shumë të mira ndaj biznesit, dhe peticioni i biznesit tregon më se miri që këto biznese kanë pasur interes në raport me këtë terminal”, ka theksuar ish ministri Mulaj për RTK-në.

Peticionet e bizneseve dhe të agjentëve doganorë janë dërguar edhe në Komunën e Ferizajt, derisa kjo e fundit i është drejtuar me një letër qeverisë duke kërkuar shqyrtim të drejtë, meritor dhe ligjor të ankesës së paraqitur nga palët. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ditë më parë ka thënë për Kosovapress, se çështja e vazhdimit të licencës së Terminalit Doganor në Ferizaj mbetet brenda Komisionit përkatës, dhe se do të trajtohet proceduralisht sikurse edhe rastet tjera. Ai ka theksuar se pretendimet nga ana e kompanisë dhe ato të Komunës së Ferizajt, do të trajtohen mjaft seriozisht edhe në ministrinë që e drejton ai, por edhe në Ministrinë e Financave.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat