“Nomadland” merr çmimin “Oscar” për filmin më të mirë

Filma

“Nomadland” merr çmimin “Oscar” për filmin më të mirë

Më: 26 prill 2021 Në ora: 07:16
Fitues të çmimeve Oscars.

Edicioni i 93-të i “Academy Awars” ka bërë histori akoma pa filluar e një ritëm të tillë e ka mbajtur edhe gjatë ceremonisë. Parashikimet për pretendentin për të marrë çmimin për filmin me të mirë kanë dalë të sakta. “Nomadland” i regjisores kineze Chloe Zhao ka marrë çmimin “Oscar” për filmin më të mirë.

Filmi i cili pati katër nominime – për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, për skenarin më të mirë të adoptuar dhe për montazhin më të mirë – ka rrëmbyer dy trofe. Chloé Zhao ka marrë çmimin “Oscar” për regjinë me të mirë për filmin e saj “Nomadland”. Me marrjen e këtij çmimi ajo është bërë regjisorja e parë kineze dhe gruaja e dytë që merr ketë çmim (Katheryn Bigelow, ishte fituesja e parë).

Filmi shpalos jetesën e nomadëve në Amerikë dhe personazhet janë karaktere të jetës reale, përfshirë edhe aktoren Frances McDormand e cila mori çmimin për aktoren me të mirë pikërisht për paraqitjen e saj në “Nomadland”. E çmimin për aktorin më të mirë e mori Anthony Hopkins për rolin e tij në filmin “The Father”.

Image

Fituesit e sivjetmë të “Oscarit” pasqyruan rritjen e gjithëpërfshirjes.

Mia Neal dhe Jamika Wilson, ekipi prapa "Black Bottom" nën regji të Ma Rainey, gjithashtu bënë histori të dielën. Dyshja janë gratë e para me ngjyrë që u nominuan për grimin dhe modelimin më të mirë të flokëve dhe, tani, janë dyshja e parë që e ka marrë këtë çmim.

"Soul", i cili mori në shtëpi çmimin për filmin më të mirë të animuar, është gjithashtu filmi i parë i “Pixar” që në rolin kryesor ka një personazh me ngjyrë.

Për shkak të kufizimeve të udhëtimit dhe një nevoje për distancim më të madh shoqëror për shkak të pandemisë së koronavirusit, ceremonia e këtij viti është shpërndarë në disa vende.

“Union Station” u përdor si lokacion kryesor, me të pranishmit që hynin dhe dilnin në mënyrë që të respektohej numrin i caktuar i njerëzve që mund të mblidhen në të njëjtën kohë.

Ceremonia u zhvillua sikur të ishte një set filmik. Të nominuarve u është lejuar që të qëndrojnë pa maska ​​gjersa ishin në kamerë, por duhet t'i vendosin maskat përsëri kur ato ndalonin.

Sidoqoftë edhe këtë vit pati kritika për disa nga fituesit. Për shumëkënd filmi “Quo Vadis, Aida?”, ku luan edhe aktori Alban Ukaj është dashur që të jetë fitues në kategorinë për filmin me të mirë ndërkombëtar. E kritika pati edhe për dokumentarin me të mirë, çmim të cilin e mori “My Octopus Teacher”.

“Quo Vadis, Aida?” nuk arrin të triumfojë në “Oscar”

Filmi i suksesshëm “Quo Vadis, Aida?”, ku luan edhe aktori Alban Ukaj, nuk ka arritur të dalë fitues në garën për filmin me të mirë ndërkombëtar në “Oscar”. Këtë çmim prestigjioz e ka fituar filmi “Another Round” nën regji të Thomas Vinterberg.

Regjisorja e filmit “Quo Vadis, Aida?”, Jasmila Zhbaniq, e kishte cilësuar filmin si “më shumë sesa film” për t’i përkujtuar botës se gjenocidi i ndodhur në Srebrenicë nuk duhet dhe as nuk mund të harrohet. E drama në kohëzgjatjen e saj prej 1 orë e 41 minutash, sipas një recensioni në “Guardian”, paraqet “një rindërtim shterues të masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnjë”.

Mostriumfimi i “Quo Vadis, Aida” ka ngjallur reagime nëpër rrjete sociale. Shumëkush e ka cilësuar këtë si një veprim të pritshëm nga “Academy Award”.

“Me ‘Time’ që nuk mori çmimin për dokumentarin me të mirë dhe me ‘Quo Vadis, Aida?’ që nuk mori çmimin për filmin me të mirë ndërkombëtar, ju e dini që jeni duke shikuar ‘Oscarin’#tradicional”, ka qenë një koment i David Naimon në Twitter.

Në shtetin që përjetoi gjenocid nga forcat ushtarake dhe policore serbe, nominimi ishte përjetuar si një sukses i madh për të thënë në mënyrë artistike të vërtetën e Srebrenicës. Kjo ishte hera e dytë që një film nga Bosnia ishte nominuar për “Oscar”, pas atij të vitit 2002 “No Man Land” i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj në këtë film portretizon përkthyesin me emër Tarik.

“Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë. Luaj rolin e njërit prej dy përkthyesve, të cilin e njoh edhe personalisht e që i kanë shpëtuar gjenocidit në Srebrenicë. Ia kam lexuar dy librat që i ka shkruar dhe ka qenë përgjegjësi goxha e madhe”, pati thënë ai në një intervistë për “Express” të KOHËS me rastin e nominimeve për “Oscar”. “Quo Vadis, Aida?” ai e pati konsideruar si njërin prej projekteve më sfiduese dhe më me përgjegjësi që ka pasur ai personalisht, po edhe shumica e kolegëve që janë në film.

“Është vënë re ai tension edhe gjatë provave të leximit, por edhe gjatë provave në lokacionet autentike ku është xhiruar. Nuk është vetëm një film, është pak përtej filmit. Është një homazh për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, pati thënë ai.

Sipas tij, filmi është edhe një thirrje për përgjegjshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka bërë një lëshim të pafalshëm kur bëhet fjalë për gjenocidin e Srebrenicës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat