Nesër, të dielën e 22 nëntorit 2026, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë në Manastir. Eshtë 118 vjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe Rama ka zgjedhur të shkojë në qytetin e Manastirit me gjasë për ta përkujtuar këtë ngjarje shumë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Po pse ai do të shkojë në këtë moment? Pse nuk u kujtua në 13 nëntorët e shkuar, që kur ai erdhi në pushtet? Pse nuk e zhfrytëzoi këtë ngjarje për të shkuar në Manastir në kohën e mjaltit me Zoran Zaev dhe me Open Balkan? Pra, pse sot?
Ka shumë arsye pse Edi Rama nesër do të mbajë fjalimin e tij “patriotik” në qytetin e Alfabetit të Shqipes. Por të gjitha arsyet janë personale. Vetëm fjalimi do të jetë “për patriotët” e Rilindjes që ai drejton. Duke e njohur se si sillet kryeministri ynë në kohë të vështira për të, po përpiqem të shkruaj se çfarë do të ndodhë dhe çfarë do të thotë ai nesër në vjetin e 118-të të shkronjave shqipe. Gjithkush nga ne do të kuptojë nesër se ai nuk do jetë aty për shkak të atyre shkronjave, as për shkak të dy korifejve shqiptarë që e drejtuan atë Kongres, përkatëësisht Gjergj Fishtës dhe Mit’hat Frashërit. Këta të dy Edi i urren dhe nuk ka bërë asgjë për t’i përjetësuar në kujtesën historike të shqiptarëve.
Kryeministri hokatar i joni shkon në Manstir me qëllim që ta shfrytëzojë këtë rast për të paralajmëruar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata të Kosovës që të mos guxojnë të vijnë në protestën-revoltë të shqiptarëve të 28 Nëntorit në Tiranë. Protesta e ditës së pavarësisë është kthyer në makthin e Edi Ramës. Ai e di se bashkimi i shqiptarëve në Tiranë do të shndërrohet në një ortek të pandalshëm dhe do të shkaktojë tërmet politik rrënues për qeverinë e tij. Gjithë impenjimi i tij është të parandalojë këtë protestë ose të ndalojë pjesmarrjen në të. Prandaj dhe nesër Rama do të flasë me gjuhën e presionit, të ofendimit dhe të përçarjes. Do të akuzojë atë pjesë të politikës shqiptare në Ballkan, e cila nuk pranon të ndjekë ritin e tradhtisë kombëtare si ai.
Do të përpiqet që ta paraqesë veten si vazhdues i rilindasve dhe delegatëve të Kongresit të Manastirit, me qëllim që t’ua mbushë mendjen shqiptarëve se “protestuesit kundër tij janë “tradhtia e këtij vendi”! Do të thotë se kjo “tradhti” po bëhet qëllimisht për ta ndërprerë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për këtë do të fajësojë edhe ata shqiptarë të diasporës dhe banues në trevat ballkanike, të cilët kanë dashur dhe do të duan rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Gjithmonë kryeministri i Shqipërisë ka bërë të njëjtën lojë. Kur i është dashur bashkëpunimi me Aleksandër Vuçiq ai ka lobuar në favor të Serbisë dhe kundër Kosovës. Kur i është dashur të mashtrojë shqiptarët, ka marrë autorësinë e paqenë si psh të Open Balkan. Kur dikush nuk e ka përkrahur iniciativën serbe të Open Balkan, e ka mallkuar atë me gjithë familjen e tij politike. Kur e kanë përkrahur si në rastin e Dritan Abazoviç, ka dhënë mbështetje për ta edhe kur këta kanë nënshkruar marrëveshje tradhtie me Beogradin!
Por nesër në Manastir nuk do të flasë për Serbinë. Nuk do të guxojë të thotë ndonjë fjalë as kundër Greqisë. Do të donte ta atakonte Rexhep Tayp Erdogan, por nuk do të mund ta bëjë këtë, sepse do t’i plasin videot e Pandeli Majkos në surrat! Do të flasë vetëm kundër VLEN, kundër Bilal Kasamit dhe do të turret kundër atyre “kosovarëve” që duan rrëzimin e tij nga pushteti, duke aluduar për përkrahësit e Albin Kurtit. Dita e Alfabetit shqip do të shfrytëzohet nga ana e tij për të akuzuar për mosrespektimin e gjuhës shqipe qeverinë e Mickovskit. Sepse as Edi, As Aliu (Ahmeti) nuk e pranojnë se komprimisi i gushtit 2001 në Marrëveshjen e Ohrit nuk e ka zgjidhur përfundimisht çeshtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo për fajin e atij që udhëhoqi luftën e shqiptarëve në Maqedoni.
Nuk e di nëse nesër në godinën e Alfabetit Edi Rama do të flasë për bibliotekën në gjuhën shqipe që ngritën dy shqiptarë patriotë të Maqedonisë së Veriut. Por e di se një kryeministër i përgjegjshëm do të turpërohej në atë vend për shkak të indiferencës ndaj asaj godine, bibliotekës dhe mungesësë së qasjes me ndihma financiare e të çfarëso lloji për to. Për këto e shumë arsye të tjera, Edi Rama duhet pritur me protesta edhe në Manastir nesër, e dielë, më 22.11.2026!