Kapardisja shqiptare

Opinione

Kapardisja shqiptare

Nga: H.Rafuna Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 20:23
H.Rafuna

Kush e la ish ministren amerikane Madeleine Jana Korbel Albright, të priste me orë të tëra te dera e delegacionit të Kosovës në Rambuje në marsin e vitit 1999?

Kapardisja është një tipar i përgjithshëm njerëzor, kjo gjendet kudo në botë, në Ballkan dhe veçanërisht në mesin e shqiptarëve.

Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet pa guximin dhe kapërdisjen! Shpesh është e vështirë të dallosh se ku mbaron kufiri i një vepre të denjë, madje të guximshme, dhe ku fillon kapardisja. Kjo e fundit shpesh ndërthuret me të gjitha këto cilësi të mira dhe të këqija tek njeriu ballkanik, duke i dhënë theks të veçantë, si veseve ashtu edhe virtyteve të tij. Si e tillë, ajo reflektohet në pikëpamjen për jetën, në mënyrën e sjelljes, të menduarit, të vepruarit dhe madje edhe në gjërat e përditshme!

Megjithatë, për habinë tonë të madhe, nëse e shqyrtojmë historinë e gjatë të popullit shqiptar, por me ftohtësi, vërejmë se megjithëse ka qenë shumë e pranishme në jetën e përditshme. Kjo sëmundje nuk është provuar aq sa pritej në atë sferë ku dëmi i saj është vërtet fatal: midis princave shqiptarë, ata që sot quhen "udhëheqës".

Edhe për tekat e princave dhe feudalëve shqiptarë të Mesjetës, (të cilët nuk ishin as më pak dhe as më shumë se vëllezërit e tyre evropianë dhe bizantinë,), kronika historike nuk ofron prova të krenarisë boshe dhe as veprimeve kapriçioze nga ana e udhëheqësit më të shquar të shqipes dhe të shqiptarëve nëpër tanë Ballkanin e Gjergj Kastriotit. Ky kont shqiptar, që u ngrit befas në një lartësi marramendëse, u rrethua me legjenda për së gjalli, iu dhanë tituj e cilësime që do t'i ëndërronte çdo princ i kohës, së fundi u prit disa here me triumf në qendrat e Europës e në Vatikanin e fuqishëm, e ka patur rrezikun që të binte në dashuri me veten si rrallëkush tjetër!

Jo vetëm Skënderbeu, por as Rilindasit e shquar shqiptarë më pas, qoftë prijsat e mendimit dhe ata të veprimit, nuk dhanë asnjëherë shenja të një krenarie a vetkënaqësie të zbrazët. Dhe kjo vetpërmbajtje, ky dinjitet i madh, ka vetëm një shpjegim: sepse ata ishin të përgjegjshëm për fatin e rëndë të popullit të tyre. Me fjalë të tjera, ata kishin kuptuar se historia i kishte vënë në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, ndaj as mburrjet dhe as ethet e lavdisë s'mund të kishin vend në kokat e tyre.

Shpallësi i pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, ndonëse vinte në një vend të vogël, nga poste të larta të një perandorie të madhe, nuk u shqua asnjëherë për delire mendjemadhësie. E po ashtu, pas tij, nuk dha shenja të tilla peshkopi Fan Noli, ndonëse ishte i ndërgjegjshëm se ishte kryeministri më i kulturuar i Ballkanit dhe një nga krerët e kulturës europiane të kohës.

Eshtë folur mbarë e mbrapsht për mbretin Zog, por kurrkush nuk ka përmendur gjëkundi sjellje ngrehaluce të tij, e as dehje nga lavdia, ndonëse vinte nga një mjedis ku ato kultivoheshin e, ndonëse, u shpall mbreti i parë i shqiptarëve.

Në periudhën komuniste mburrjet verbale të udhëheqjes, kërcënimet ndaj botës perëndimore dhe vetëdehja për të ashtuquajturin lulëzim të vendit, mbetën më tepër në sferën teorike, si pjesë e një sistemi politik të dështuar. Ato nuk shoqëroheshin dot me sjellje e bëma të rrokshme nga individët e udhëheqjes, ngaqë këtë gjë nuk e lejonte ankthi politik, pré e të cilit ata ishin të gjithë.

-Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarit ose më mirë me thënë klasës politike të tyre, atëherë kur ajo nuk duhej të pritej pas rënies së regjimit komunist. Mund të thuhet pa frikë se, për dhjetë vjet, njerëzit e politikës shqiptare, u mburrën dhe u ngrefosën më shumë se të gjithë paraardhësit e tyre, gjatë dhjetë shekujve.

Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për një jetë të dinjitetshme, për shëndoshje trupore e shpirtërore, dhe për një normalitet.

-Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë ngrehe morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që iu vuri koha.

-Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua, nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund dhe nga një shpërfillje e plotë ndaj interesave dhe tragjedisë së vendit.

Megjithë në këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t'u bërë starë, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura "sensacionale", kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin njejësin e shumësin e gjuhës shqipe, kur një frazë e fillojnë me "ju" dhe e mbarojne me "ti")!

Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Pse semundja e kapardisjes së një pjese të "liderëve" është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare?

Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t'ia lënë vendin kësaj brenge të thellë.

Kjo përsa i përket vendit amë, kurse për Kosovën dhe për "liderët” e saj, mjafton të përkujtohet pamja e katundeve që digjen, e fëmijëve të vrarë, e njerëzve që shpërngulen nën vërshëllimën e predhave, për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga çdo mburrje e pozë përpara kamerave të TV. Mirëpo një pjesë e "liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme! Këta vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai intersim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.

Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç'do të vendoset në Rambuje, se po të

mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet…)! E kështu me radhë, e kështu pa fund, por është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta "biznesmenë të lirisë" s'pësojnë kurrë asgjë.

-Asgjë nuk i prek shpirtrat e tyre veç smira dhe etja e pushtetit. Ato janë e vetmja gjë që e gjallëron mendjen e tyre të varfër: Jam unë që vendos e jo ti, jam unë që duhet të hipi në avion, që duhet të pyetem, që duhet të nderohem, që duhet të thirrem në gosti, që duhet të shpallem shef etj., etj. Ndërkaq, si gjithmonë, në Ballkanin tonë sa heroik aq edhe servil, nuk mungojnë kurrë puthadorët, sejmenët dhe lajkatarët. Pas Rambujesë, një pjesë e mediave shqiptare, në vend të merreshin seriozisht me analizën e asaj që ndodhi, e sidomos, asaj që do të ndodhte, filluan lajkat për bëmat e njerit apo të tjetrit. Ca legjenda, ca fakte të neveritshme, imorale e të pabesa filluan të serviren si heroike. Kështu, sahanlēpirësit nisën të ekzaltohen që X -i nuk pyeste fare për ministrat e Europës, apo që Y- i e la ministren amerikane Ollbrajt të priste orë të tëra te dera, etj., etj. Edhe sikur këto dokrra të ishin të vërteta, ato do të ishin jo lavdia, por turpi ynë në Rambuje. Dhe jo vetëm turpi: ato do të ishin një njollë e zezë, dëshmi e maçizmit, e injorancës dhe e paburrërisë sonë përpara një ministreje dhe një gruaje.

-Një pjesë e "liderve" shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meriton populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit .

-Mësimi numër një që, duhet të nxjerrin "liderët” shqiptare, është se nuk ka dhe nuk mund të ketë lavdi për askënd në qoftë se populli yt është në mjerim e në robëri. "Liderët" shqiptarë duhet të rrijnë kryeulur përpara kësaj gjëme që ende nxin në sytë tanë. Të rrish kokulur nuk do të thotë të rrish pa dinjitet. Përkundrazi, pa dinjitet gjykohen ata, që në një ceremoni varrimi zgërdhihen.

-Populli shqiptar ka përpara ditë tepër vendimtare për fatin e tij. Në qoftë se "liderët" shqiptarë e ndiejnë se janë të paaftë të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë, ata duhet t'ua lenë vendin të tjerëve. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta kuptojnë më mirë këtë popull, që do të kenë më shumë dhembshuri për të, me fjalë të tjera, që do ta prijnë siç duhet. Këto fjalë të zemrës, ishin vërejtjet dhe porositë e t’madhit, Ismail Kadare në libërthin e tij “ Mbi krimin në Ballkan”!(fq.105-110)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat