Makina Red Bull RB20, me të cilin Max Verstappen shkon në kërkim të titullit të katërt kampion bote në Formula 1, u prezantua për mediat dhe fansat. Njëvendëshja kampion bote në dy sezonet e fundit synon të vijojë në këtë rrugë edhe këtë vit.
Ajo do të pilotohet nga kampioni holandez dhe meksikani Sergio Perez.
Skuadra kampion bote ka nisur kështu fushatën e saj për të dominuar edhe këtë vit, pas skandalit që po kalon me shefin e saj Christian Horner, i pranishëm në këtë ceremoni.
Sa i përket makinës, drejtuesit e kanë përcaktuar RB20 si një evolucion të RB19 që dominoi sezonin e kaluar (fitoi 21 nga 22 gara). Por, në shikim të parë nuk mungojnë risitë, veçanërisht në nivelin aerodinamik.
“Synojmë të jemi sërish dominues në pistë. E dimë që këtë sezon do të jetë më e vështirë, por jemi përgatitur për konkurrencën. Kemi bërë disa përmirësime e do të vazhdojmë të bëjmë përgjatë sezonit”, tha Horner.