Piloti i Ferrari operohet me urgjencë, nuk do të marrë pjesë në garën e Arabisë

Formula 1

Piloti i Ferrari operohet me urgjencë, nuk do të marrë pjesë në garën e Arabisë

Më: 8 mars 2024 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Piloti spanjoll i Ferrari, Carlos Sainz, nuk do të marrë pjesë këtë fundjavë në garën e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite. Ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të problemeve shëndetësore me një apandesit.

Lajmin e konfirmoi skuadra Ferrari, e cila me një postim në rrjetet sociale zbuloi gjendjen e pilotit spanjoll, i cili u detyrua të largohej nga garazhi të mërkurën më 6 mars pas një sëmundjeje. Vendin e tij do ta zërë piloti rezervë i “kokëkuqes”, anglezi Oliver Bearman.

Ky i fundit nuk do të marrë pjesë në garat e Formula 2. Bearman, 19 vjeç, është një produkt i Akademisë së pilotëve të Ferrarit.

Të mërkurën u shfaqën shenjat e para të sëmundjes për Sainz, i cili ishte larguar herët nga garazhi. Ai u kthye në hotel për të pushuar dhe për të qenë gati për provat e së enjtes, ku u rendit i gjashti.

Gjithsesi, Sainz nuk ndihej mirë për shkak të temperaturës dhe çrregullimeve gastrointestinale, deri në ditën e sotme. Ferrari shpreson të rikuperojë Sainz për garën e radhës në Australi, më 28 mars, por padyshim që situata do të vlerësohet dita-ditës pas operacionit.

Bearman do të jetë në krah të Charles Leclerc në këtë garë, që do të jetë debutimi i tij në Formula 1.

Një shans i artë për të për të treguar vlerat e tij. Në vitin 2021, ai bëhet piloti i parë që fiton në një vit kampionatin italian e gjerman në Formula 4. Prej vitit 2022 është pjesë e akademisë Ferrari..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat