Charles Leclerc i shpall luftë Red Bullit. Suksesi i Ferrarit në Çmimin e Madh të Australisë, ku mori vendin e parë dhe të dytë, ka rritur ndjeshëm optimizmin te piloti nga Monaco, që synon edhe fitoren e parë sezonale në garën e fundjavës, që do të mbahet në Suzuka të Japonisë.
“Në Maranello po bëhet një punë shumë e mirë dhe në pistë po shohim rezultatet e saj.
Pas dy garave të mira në Bahrein dhe Arabinë Saudite, erdhi ai sukses në Australi, ku përfituam maksimalisht nga dobësia e kundërshtarit dhe morëm pikët maksimale. Tani është radha ime që të fitoj garën e parë sezonale dhe do të provoj t’ia dal që këtu në Japoni”, u shpreh Leclerc.
Piloti i Ferrarit pranon gjithsesi se asgjë nuk do të jetë e lehtë, teksa i referohet edhe faktit që Red Bull ka bërë gjithmonë shumë mirë në Japoni.
“Mendoj se do të jetë më e lehtë për Red Bullin këtu sesa në Australi, por ne duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të bëjmë më të mirën.
Duhet të vëmë kundërshtarët në vështirësi dhe të jemi gjithmonë aty për të përfituar nga çdo gabim i tyre”, theksoi Leclerc.
Çmimi i Madh i Suzukës në Japoni do të mbahet në orën 7:00 të mëngjesit.