Ferrari i këtij sezoni duket se ka një “marsh” më shumë se në sezonet e shkuara. Këtë e tregojnë rezultatet e arritura në garat e para të këtij sezoni, ku bie në sy fitorja e Carlos Sainz në Çmimin e Madh të Australisë, në pistën e Melbourne.
Skuderia italiane ka grumbulluar në total 114 pikë deri më tani, respektivisht me 59 pikë Charles Leclerc dhe 55 Carlos Sainz, me këtë të fundit që është në vitin e fundit të kontratës me Ferrarin. Pas 4 garave të para të Botërorit të Formula 1, Charles Leclerc dha një intervistë për situatën e deri më tanishme, teksa nuk ngurroi të thumboi edhe rivalët më të mëdhenj, Redbullin;
“Në këtë fazë të sezonit po bëjmë çmos të maksimalizojmë pikët. Me përmirësimet e reja të makinës do të rivalizojmë Red Bullin.
Nëse i vendosim në presion, do t’i marrim sa më shumë pikë dhe ndoshta në fund të sezonit do të ketë supriza për të gjithë”, mbylli deklaratën e tij piloti monegask.
Ferrari prej vitesh ndodhet në udhëkryq me shumë dritëhije përsa i përket së ardhmes. Lajmi që bëri të gjithë të apasionuarit pas këtij sporti të komentojnë është kalimi që do të ndodhë nga viti i ardhshëm i Lewis Hamilton nga Mercedesi te Ferrari, duke shtuar akoma më shumë zërat edhe të ndonjë sensacioni që Verstappen të zërë vendin e anglezit te Mercedes.