Sërish një triumf spanjoll në garën e Cmimit të Madh të Amerikës në MotoGP dhe sërish ai që fiton është Maverick Vinales. Piloti i Aprilia konfirmohet si “mbret” në pistën e Austin, ku pat triumfuar edhe 24 orë më parë në garën sprint.
Ai e nisi garën nga “pole” dhe megjithëse pati një start të vështirë, duke zbritur deri në vendin e gjashtë, arrin të rikuperojë në pjesën e dytë. Madje duke u shkëputur gati 2 sekonda nga ndjekësi më i afërt, debutuesi Pedro Acosta me Tech3 Red Bull, i dyti.
Podiumi kompletohet nga italiani i Ducati, Enea Bastianini, që arriti të kapë vendin e tretë në xhirot e fundit, duke zbritur Jorge Martin (Ducati Pramac) në vendin e katërt. Pas tij u klasifikua kampioni i botës në MotoGP, Francesco Bagnaia me Ducatin tjetër (i pesti).
Një garë për t’u harruar kjo për spanjollin Marc Marquez, që rrëzohet në mesin e saj teksa ndodhej në podium. Ndërkohë, në renditjen e përgjithshme të MotoGP, vijon të kryesojë Jorge Martin, që thellon edhe më shumë diferencën me rivalët.