Për herë të parë pas katër sezonesh, që kur pandemia detyroi anullimin e garës së Çmimit të Madh të Kinës, Formula 1 do të rikthehet në Shanghai.
Një pistë e panjohur për shumë pilotë të rinj që kanë debutuar vitet e fundit, por edhe për më të vjetrit do të ketë të panjohura, pasi makinat e sotme nuk kanë garuar kurrë.
Gjithsesi, Red Bull pret të dominojë në këtë pistë dhe i bindur për këtë gjë është shefi i kësaj skuadre Christian Horner.
“Shanghai është një pistë e mirë. Kthesa e parë nuk mbaron kurrë dhe kthesat me shpejtësi të lartë kanë qenë gjithmonë sfiduese veçanërisht për gomën e majtë të përparme. Ka edhe një garë sprint, e para e këtij viti, ndaj do të jetë një tjetër sfidë për të gjithë”.
“Ka shumë pika ku mund të parakalohet, por edhe të panjohura që do të shohim të premten në provat e lira.
Ndaj do të jetë një fundjavë interesante dhe të shohim se si do të shkojë. Ferrari ishte padyshim konkurrues në Australi, por dhe në Japoni pamë se ritmi i tyre i garës ishte konkurrues. Ne presim që ndoshta do të jetë konkurrenti ynë më i afërt edhe në Kinë”, tha Horner.