E ardhmja e pilotit spanjoll Carlos Sainz është ende e paqartë.
Ai do të lërë skuadrën Ferrari në fund të këtij viti, për t’i lënë vendin Lewis Hamilton. Ish-kampioni i botës në Formula 1, Nico Rosberg, ka zbuluar disa prapaskena në lidhje me të ardhmen e Carlos Sainz.
“Sainz do të ishte zgjidhja më e mirë për Mercedes, por edhe për Red Bull. Di se Red Bull nuk i ofroi atij shumë para dhe Mercedes nuk dëshiron t’i ofrojë atij më shumë se një vit kontratë, sepse ata shpresojnë për Kimi Antonelli, i cili është vërtet i jashtëzakonshëm”, tha Rosberg.
“Carlos do të ishte perfekt për Sauber/Audi, por a do të ishte Sauber/Audi perfekt për të? Sainz do të fitojë gara dhe atje do t’i duhej të fillonte nga e para. Vendimi do të jetë shumë i vështirë”, u shpreh Rosberg, që mendon se këto tri makina janë ato që kërkojnë me ngulm spanjollin.