Max Verstappen e ka nisur edhe këtë sezon me “gazin në maksimum”.
Piloti i RedBull ka fituar katër nga pesë garat e para të kalendarit dhe duket i pandalshëm drejt titullit numër katër të Botës. E vetmja që po bën lajm në këtë moment rreth 26-vjeçarit është e ardhmja e tij.
Holandezi pas polemikave dhe rrëmujës që ka nisur te RedBull mes drejtuesve më të lartë, ku përflitet se do të largohet edhe “truri” Adrian Newey, duket i prirur të provojë një aventurë të re.
Së fundmi, është vetë babai i Max Verstappen, Jos ai i cili i hedh më tepër “benzinë zjarrit” duke theksuar se makina RedBull është e shpejtë, por duke shtuar se djali i tij duhet të mendojë më të mirën për të ardhmen e tij.
“Mendoj se të gjithë duan ta kenë Maksin. Ai ka një makinë shumë të shpejtë, por duhet të mendojmë edhe për të ardhmen e afërt. Po shikojmë vitin 2026, duke pritur të kuptojmë se çfarë mund të ndodhë, por le të qëndrojmë të qetë”, u shhpreh Jos Verstappen.