Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në këtë fundjavë me garën në disiplinën drag race.
Pas auto sllallomit në Ferizaj, vëmendja kalon në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.
Drejtori i garës, njëkohësisht kryetar i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është optimist se gara do të jetë interesante, me rivalitet, pjesëmarrje të kënaqshme dhe numër të madh të shikuesve.
“Drag Race është disiplinë që tradicionalisht ka zgjuar interesim si te pjesëmarrësit, ashtu edhe te dashamirët e auto sportit.
Shpresojmë që edhe kësaj radhe të jetë kështu”, është shprehur Rexhepi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ai beson që për të ndodhur diçka e tillë, do të kontribuojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyre janë pjesë e garës.
“Bëhet fjalë për një garë ku dinamikat janë të shpejta, prandaj besoj se anëtarët e skuadrës organizative, garuesit, shikuesit dhe institucionet që asistojnë në garë, të japin maksimumin dhe gjithçka të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë numri një i FASK-ut.