Fundjavën e kaluar, në Rechberg të Austrisë, u mbajt gara e parë e Kampionatit Europian të Garave Malore (Evropean Hill Climb Championship) për vitin 2024.
I vetmi garues shqiptar ishte Valdet Kaçandolli nga Kosova. Me makinën e tij Suzuki Swift R+, ai synoi të ngjitej sa më lart në mesin e më të mirëve të kontinentit të vjetër.
Pas garës, Valdeti u shpreh i lumtur për rezultatin, përkundër konkurrencës së fortë, aksidentit në garën e fundit dhe faktit që ishte hera e parë që garonte në atë shteg.
Megjithatë, Valdet Kaçandolli, nga kampion i grupit të tretë, në Kampionatin e Evropës Qendrore (CEZ) 2022, tashmë synimet i ka të qarta për Kampionatin Evropian.
Gjatë muajit maj, do të marrë pjesë në garat malore në Subida el Fito (Spanjë) dhe Rampa Da Falperra (Portugali).