Sërish telashe në kalendarin e MotoGP për vitin 2024.
Pas anullimit të garës së Çmimit të Madh të Argjentinës, në Rio Hondo, mbërrin lajmi për shtyrjen e garës së Kazakistanit.
Kjo garë duhej të organizohej më 15 dhe 16 qershor, në pistën e re të Sokol.
Sipas organizatorëve të MotoGP, kjo garë nuk është anulluar, por do të rikuperohet “më vonë këtë sezon”. Gjithsesi, kjo gjë nuk është e sigurtë ende, pasi është ende herët për të thënë diçka për një datë të re.
Shkaku i shtyrjes së garës së Kazakistanit është për shkak të emergjencës së motit që ka prekur vendin e Azisë Qendrore prej rreth një muaji. Pas një periudhe të pazakontë shiu të dendur, pati përmbytje të shumta të cilat shkaktuan dëme të mëdha dhe mbi të gjitha evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve.
Nevoja për të ndihmuar njerëzit e zhvendosur dhe për të riparuar dëmtimet në infrastrukturën jetike në zonat e katastrofës e shtyu qeverinë e Kazakistanit të kërkonte shtyrjen e garës.