Tirana, Najdovski kthehet titullar

Futboll

Tirana, Najdovski kthehet titullar

Më: 27 mars 2024 Në ora: 15:25
Filip Najdovski

Kundër Dinamos Filip Najdovski u rishfaq në fushë, duke ndihmuar Tiranën të triumfonte 3-2 në derbin kryeqytetas.

Zyrtarisht mungesa lidhej me shqetësimet fizike të qendërmbrojtësit, i cili duke patur në dispozicion edhe kohën e ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të kombëtareve duhet të jetë totalisht gati dhe pa asnjë alibi mungese në të dy anët.

E kështu, tekniku Erbim Fagu do ta kthejë titullar maqedonasin për ndeshjen e javës së 29 të Superiores kundër Teutës.

Për tu kuptuar, Najdovski e Tirana janë të ndarë ende në fronte, me ish-kapitenin që u ndje i anashkaluar ndërsa Halili i pari akuzonte mungesë impenjimi. Najdovski e ka parë veten të rrëzuar në hierarki dhe sipas asaj që filtron nga klubi përplasja kulmoi me hedhjen e shiritit, kur “zyrtarisht” u dëmtua dhe u zëvendësua në ndeshjen me Erzenin, edhe pse motivi ishte krejt tjetër.

Për momentin palët i kanë ulur tonuset, duke kuptuar se në këtë moment një e mesme e përbashkët i shërben të dyve. 31 vjeçari do të ketë në krah Erion Hoxhallarin, që kthehet pasi kreu skualifikimin.

Kështu, Fagu do të ketë në qendër të mbrojtjes dyshen më të mirë dhe me eksperiencë, ndërsa tekniku i ka të gjithë lojtarët në dispozicion. Përjashtim bën vetëm Mici që është i skualifikuar dhe nuk do të jetë kundër durrsakëve. Asnjë problem sepse në qendër, ku 33 vjecari luajti ndeshjen e fundit, kthehen dy titullarët, ndërsa në të majtë është gati Përgjoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat