Mario Mitaj “ylli” i së ardhmes

Futboll

Mario Mitaj “ylli” i së ardhmes

Më: 27 mars 2024 Në ora: 16:32
Mario Mitaj

Mario Mitaj është pa dyshim një nga ato lojtarë që ka fituar menjëherë zemrat e tifozëve kuqezi, madje edhe të trajnerit Sylvinho. Pas ndeshjes me Suedinë ku shkëlqeu me klasin, thjeshtësinë, sigurinë dhe saktësinë e tij, trajneri brazilian shprehu simpatinë që ka për anësorin e majtë.

Mbrojtësi i lindur në Malësinë e Madhe, është kthyer në një titullar të padiskutueshëm në Kombëtare. Teksa është ndër të paktët që i luajti të plota të dyja takimet miqësore ndaj Kilit dhe Suedisë.

Mario është vetëm 20 vjeç. Por për dikë që e sheh në fushën e lojës pa e ditur moshën e tij, krijon iluzionin se ka shumë vite që luan në nivele të larta. Shumë besim në vetvete, elegancë, qetësi, guxim dhe inteligjencë. Cilësi që rrallë i gjen të gjitha bashkë në një futbollist kaq të ri.

Mitaj e ka kthyer në një “pronë” të tij krahun e majtë të mbrojtjes te Kombëtarja dhe prezenca e tij në fushë jep shumë garanci për kuqezinjtë. Ndërkohë që po performon mirë edhe me Lokomotivën e Moskës.

Klubi rus ka pasur gjithnjë besim te Mitaj, për të cilin shpenzoi plot 3 milionë euro në verën e vitit 2022 për të blerë nga AEK-u i Athinës. Në dy sfidat e fundit me Shqipërinë u ndoq edhe nga skautë të Juventusit.

Në Itali e shohin Mitajn si një nga lojtarët që në verë mund të bashkohet me bardhezinjtë. 20-vjeçari ka fituar simpatinë e drejtuesve, ndërsa ka marrë dhe vlerësimin maksimal nga ana e skautëve. Në javët në vijim pritet lëvizja dhe oferta që do të bëjnë drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”.

Mitaj do të ketë mundësinë që të tregojë veten dhe në vitrinën më të madhe të futbollit europian gjatë kësaj vere, në Euro 2024. Ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës do të tentojë të rrisë akoma dhe më shumë nivelin e tij.

Dhe pse jo të bëjë mrekullinë me Shqipërinë bashkë me shokët e skuadrës, që pa dyshim do e ndihmonte të vazhdonte rrugën e artë që ka nisur të shtrojë. Pasi ka gjithçka për të zhvilluar një karrierë madhështore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat