Pioli: 14 pikët distancë të Interit janë reale

Futboll

Pioli: 14 pikët distancë të Interit janë reale

Më: 29 mars 2024 Në ora: 13:05
Stefano Pioli

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli prezanton ndeshjen e kampionatit ndaj Fiorentinës: “Do të na presë një ambient i veçantë”. Do të jetë doemos një ndeshje ndryshe nga të tjerat, ajo që do të shohë Fiorentinën dhe Milanin si protagonistë në “Artemio Franchi”, mbrëmjen e së shtunës.

Në fakt, skuadra vjollcë do të kthehet në fushë për herë të parë që nga vdekja e Joe Barone dhe do ta bëjë këtë në një stadium të mbushur, me një koreografi të madhe kushtuar pikërisht menaxherit, i cili u nda nga jeta më 19 mars.

Stefano Pioli, i cili e përjetoi tragjedinë e Davide Astori si trajner i Fiorentinës gjashtë vite më parë, ka paraqitur sfidën ndaj ish-skuadrës së tij në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes:

“Sigurisht që do të gjejmë një qytet të shënjuar nga ajo që ndodhi, edhe sepse fatkeqësisht nuk është situata e parë e këtij lloji që i ka ndodhur Fiorentinës. Firence dhe tifozët vjollcë janë fantastikë kur bëhet fjalë për bashkimin me ekipin, për të kapërcyer momente të caktuara.

Kur e godasin kësi vdekjesh, Fiorentina bëhet një mjedis shumë koheziv, një familje e madhe. Sigurisht, që në fillim do të na presë një ambient i veçantë, sepse do të përkujtohet Joe Barone, që ka bërë kaq shumë për Fiorentinën vitet e fundit. Pastaj do të duhet të luajmë një ndeshje të rëndësishme dhe të vështirë kundër një kundërshtari të fortë.

Ata që qëndruan në shtëpi punuan dhe u rikuperuan shumë mirë. Ndër ata që shkuan në kombëtaret e tyre të gjithë janë mirë, përveç Kjaer, që nuk do të thirret për shkak të lodhjes, si masë paraprake. I vetmi që konsumoi shumë ishte Pulisic, do ta vlerësoj, por duket në gjendje të mirë.

Racizmi? Është e vështirë për mua të gjykoj episodin e Acerbit, sepse nuk kam gjithçka në dorë, por në vitin 2024 jemi të gjithë kundër racizmit në stadiume. Është koha për ta ndaluar. Për ne, më në fund fillon periudha vendimtare e sezonit. Gjithçka që është bërë do të varet nga mënyra se si do ta përfundojmë sezonin.

Ne duhet të shqetësohemi për të luajtur futbollin më të mirë të mundshëm, për të rritur më tej nivel teknik, taktik. Na duhen rezultatet më të mira të mundshme. Do të jenë dy muaj shumë, shumë të rëndësishëm.

Renditja e Serie A është reale. Po, sepse diferenca prej 14 pikësh nga Interi është reale dhe ne nuk mund ta ndryshojmë për momentin. Ata patën një kampionat të jashtëzakonshëm, ndërsa neve na mungoi vazhdimësia për të arritur katër fitore radhazi në një muaj. Jemi afruar shumë më tepër në dy ose tre muajt e fundit në nivelin e lojërave. Jemi shumë konkurrues dhe duam të mbetemi të tillë deri në fund të sezonit.

Nuk ka asnjë ndeshje të vetme që mund të ndryshojë sezonin, ne jemi në pritje të 10 ndeshjeve të mbetura të kampionatit, shpresoj edhe 5 të tjera në Ligën e Evropës. Të gjitha ndeshjet në vazhdim do të jenë të rëndësishme, për momentin ajo kundër Fiorentinës konsiderohet më e rëndësishmja.

Është e vërtetë që në këtë periudhë, sidomos në dy javët e pushimit, u fol shumë për të ardhmen time. E keni bërë këtë gjë shumë gjatë sezonit, madje pak më shumë se duhet. Nuk duhet të mendoj për këtë, duhet të përqendrohem te ndeshja në Firence dhe 60 ditët e ardhshme.

Duhet të bëjmë maksimumin për ta bërë këtë sezon sa më të mirë. Deri tani kanë qenë gjykime të pjesshme. Në fund të sezonit do të them se si shkoi dhe çfarë do të doja të bëja në të ardhmen. Sigurisht që do të na mungojë Theo, por do të përpiqemi të shfrytëzojmë karakteristikat e Florenzit, të cilat janë të ndryshme.

Bennacer punoi individualisht, por e shfrytëzoi mirë javën dhe mund të fillojë titullar. Po sikur të flisja me Giroud? Këtu askush nuk mendon për të ardhmen, lojtarët janë të fokusuar si gjithmonë.

Bennacer është më i forti një kundër një mes mesfushorëve që kemi. Ai mund të përmirësohet në leximin e situatave të caktuara, ndoshta duke qenë më pak agresiv. Adli është më pak i aftë në këtë këndvështrim, por ka karakteristika shumë interesante.

Ne shpesh kemi vuajtur kundër Fiorentinës dhe nuk është rastësi. Ata janë të fortë në shtëpi, vështirësitë lidhen edhe me mjedisin. Vjollcët kanë lojtarë të shpejtë sulmues dhe mbrojtës krahu që shtyjnë fort përpara. Për këtë arsye na nevojiten kompaktësi. Theo do të mungojë, por karakteristikat tona nuk do të ndryshojnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat