Paraqitjet e legjionarëve/ Gjimshiti, paraqitje fantastike në “Anfield”. Shënojnë Uzuni & Muçolli, Manaj jep asist

Futboll

Paraqitjet e legjionarëve/ Gjimshiti, paraqitje fantastike në “Anfield”. Shënojnë Uzuni & Muçolli, Manaj jep asist

Më: 15 prill 2024 Në ora: 10:30
Foto ilustrim

Një tjetër javë me paraqitje pozitive për legjionarët kuqezi që aktivizohen me klubet e tyre në kampionatet jashtë vendit.

Në Europa League, Berat Gjimshiti zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fitoren e Atalantës ndaj Liverpoolit 3-0. Kapiteni i Kombëtares shqiptare dha një kontribut të jashtëzakonshëm në prapavijë duke u vlerësuar si më i miri në mbrojtje me notën 7.5. Gjimshiti ishte i pakalueshëm dhe tani skuadra e tij është vetëm një hap larg gjysmëfinaleve të Europa League.

Myrto Uzuni u rikthye te goli në kampionatin spanjoll. Sulmuesi i Kombëtares shndërroi në gol një penallti që zhbllokoi takimin në sfidën Granada – Alaves. Në fund skuadra e tij mori një fitore shumë të rëndësishme 2-0, ndërsa për Uzunin ishte goli i 10-të sezonal në La Liga.

Një paraqitje fantastike zhvilloi edhe Arbnor Muçolli, i cili i dha fitoren skuadrës së tij Goteborg në transfertë ndaj Kalmar. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi golin e vetëm të takimit në nisje të pjesës së dytë dhe për të ishte goli i parë në sezonin e ri në kampionatin suedez.

Në Turqi, Rey Manaj vijon formën e tij shumë mirë edhe pse këtë radhë nuk gjeti rrugën e rrjetës por asistoi për shokun e skuadrës. Sulmuesi kuqezi i aktivizuar si titullar bëri shumë mirë në majën e sulmit, teksa në minutën e 52-të dha një asist vendimtar për shokun e tij Menig që shënoi golin e vetëm të takimit. Në fund Manaj u vlerësua me notën 8 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Rrugën e rrjetës këtë javë e gjeti edhe Armando Sadiku, i cili shënoi për Mohun Bagan në fitoren ndaj Bengaluru FC 4-0. Sadiku shënoi golin e fundit të takimit duke vulosur një fitore shumë të rëndësishme për ekipin e tij.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Naser Aliji, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Ernest Muçi dhe Mirlind Daku, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Arbnor Muja, Armando Broja dhe Arbër Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat