Partizani vë veten në siklet

Futboll

Partizani vë veten në siklet

Më: 16 prill 2024 Në ora: 15:22
Partizani

Në fillim të sezonit, sidomos në periudhën kur Partizani po fitonte ndeshjet radhazi dhe kishte një ecuri thuajse perfekte, as që do të na shkonte në mendje se ekipi i kuq nuk do ta kishte siguruar “Final 4” dhe do të diskutonte me Dinamon vendin e tretë të renditjes.

Por po, kështu do të ndodhë. Në dy ndeshjet e ardhshme, që përkojnë me dy derbe të zjarrta, Partizani do të luajë sezonin.

Të shtunën në 18:00, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi, zhvillon një duel direkt kundër Dinamos, që përcakton shumë mbi objektivat e ekipeve deri në fund. Stadiumi i kësaj sfide pritet të vendoset në ditët në vijim.

Në rast fitoreje, Partizani do të blindonte vendin e tretë dhe do të vijonte “gjuetinë” për të dytin. Ndërsa në rast humbjeje, të kuqtë do të luanin në ndeshjet e radhës për të mos diskutuar pjesëmarrjen në “Final 4”.

Në këtë sezon nuk kanë zbritur asnjëherë më poshtë se vendi i tretë. Barazimi s’i vlen asnjërës. Ndeshje po aq vendimtare është edhe ajo e 28 prillit kundër Tiranës, një betejë milionësh, historie dhe prestigji.

Ky derbi pritet të jetë më i zjarrti për faktin se asnjëra prej ekipeve nuk ka hipotekuar asgjë sa i përket “Final 4”. Ndeshja pasardhëse është me “macen e zezë”, Skënderbeun, teksa dy të fundit duken beteja të lehta në letër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat