Shuhet kampioni i botës

Futboll

Shuhet kampioni i botës

Më: 16 prill 2024 Në ora: 18:31
Bernd Holzenbajn

Futbolli gjerman është në zi, sepse ish-futbollisti i përfaqësueses, Bernd Holzenbajn është shuar të hënën në mbrëmje në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Holzenbajni, i cili e kaloi shumicën e karrierës tek Eintrahti i Frankfurtit dhe është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për këtë skuadër në Bundesligës, mbahet mend në histori për atë që ndodhi në Botërorin e 1974-ës, të zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore.

Ai ishte futbollisti që ndërmori depërtimin nga mesi i fushës drejt zonës së Holandës, aty ku u pengua nga mbrojtja, duke fituar një 11-metërsh që shpesh është cilësuar si kontradiktor, por që i dha mundësi Pol Brajtnerit të tregohej i saktë nga pika e bardhë dhe të barazonte shifrat, teksa Gjermania Perëndimore vijoi të triumfonte 2-1 në finale, duke siguruar titullin e dytë të kampiones së botës.

Holzenbajni, që e nisi karrierën me skuadrën e të rinjve të Frankfurtit në 1967-ën, luajti për 14 sezone në Bundesligë, aty ku zhvilloi 524 ndeshje dhe shënoi 212 gola, por dhe edhe 38 pasim për gol, ndërsa e mbylli karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai fitoi 3 herë Kupën e Gjermanisë, por edhe trofeun e Kupës UEFA, (tanimë Ligës së Evropës), më 1980-ën me Eintrahtin e Frankfurtit.

Ai u tërhoq nga futbolli në 1983-shin, ndërsa luajti edhe 40 ndeshje me fanellën e përfaqësueses së Gjermanisë, duke shënuar 5 gola.

Holzenbajni mbajti në vijim poste drejtuese tek Frankfurti, deri në postin e zv/presidentit të klubit në 1988-ën, ndërsa nga 1994-ra, deri më 1996-ën, kreu edhe detyrën e trajnerit të skuadrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat