Çfarë po ngjan me Manchester Utd?

Futboll

Çfarë po ngjan me Manchester Utd?

Më: 17 prill 2024 Në ora: 20:53
Manchester Utd

Shumë ndryshime pritet të ndodhin në “Old Trafford” sezonin e ardhshëm.

Dhe as vazhdimësia e Erik ten Hag nuk është 100% e garantuar te skuadra e “Djajve të Kuq”.

Rezultatet e këtij sezoni “2023-2024” nuk kanë konfirmuar atë që pritej nga projekti i trajnerit holandez pas fitimit të Kupës Carabao vitin e kaluar dhe kualifikimit në Champions League.

“Djajtë e Kuq” ende po enden pa një objektiv, larg katër vendeve të para, janë të shtatët me 50 pikë, shumë larg luftës për titull.

Sir Jim Ratcliffe, pronari i ri i 25% të klubit, është në procesin e krijimit të një ekipi pune për të rindërtuar klubin nga lart poshtë.

Omar Berrada, CEO; Dan Ashworth, drejtor i futbollit; dhe Jason Wilcox, drejtor teknik, konsiderohen njerëzit idealë të ngarkuar për konfigurimin e një ekipi që pritet të spastrohet nga shumë figura.

Në raportin e përgatitur nga gazeta britanike “Daily Mail”, i quajtur “Manchester United Confidential”, janë më shumë se 10 futbollistë aktualë në listën e largimeve gjatë merkatos së ardhshme të verës.

Anthony Martial, Raphael Varane, Brandon Williams, Jonny Evans dhe Tom Heaton përfundojnë kontratën qershorin e ardhshëm dhe nuk ka shenja se klubi nuk do t’u ofrojë rinovim.

Veçanërisht të dhimbshme për arkat e klubit janë largimet si lojtarë të lirë të dy francezëve. Manchester United pagoi 100 milionë euro për të dy dhe paraqitjet e tyre, në terma të përgjithshëm, nuk i kanë përmbushur pritshmëritë.

Po kështu në futbollin italian do të rikthehet edhe Sofyan Amrabat, i cili ka ardhur si huazim për një sezon nga Fiorentina.

Pjesa tjetër e listës përbëhet nga një kuartet lojtarësh të cilët, megjithëse kanë ende një kontratë të vlefshme, drejtuesit e sportit mund të zgjedhin, sipas “Daily Mail”, t’i largojnë: “Do të duhet të merren vendime për shitjen e disa emrave të rëndësishëm, pasi United kërkon të respektojë “Fair Play-in Financiar”.

Bëhet fjalë për emra të tillë si Casemiro, Antony, Christian Eriksen, Victor Lindelöf dhe Aaron Wan-Bissaka. Largimi i mesfushori dhe anësorit brazilian përbën një tjetër goditje financiare, pasi investimi i tyre ishte edhe më i lartë se ai i francezëve: 70 milionë euro për Casemiron dhe 100 milionë euro për Antony-n.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat