Dushan Bajeviqi i befasoi të gjithë për Fadil Muriqin 

Futboll

Dushan Bajeviqi i befasoi të gjithë për Fadil Muriqin 

Nga: K.Goca Më: 24 prill 2024 Në ora: 14:15
Fadil Muriqi

Në një atmosferë sikur në Amerikën e Jugut në stadiumin e Prishtinës pikërisht me 30 mars të vitit 1986, Prishtina e mposhti me rezultat 3:2 Velezhin e Mostarit, në takimin e javës së 22-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë.

Futbollisti Fadil Muriqi shënoi het-trik, në minutën e 15-të (nga gjuajtja e lirë rreth 20 metra), 37-të e 50-tën.

Kryetrajneri i Velezhit, Dushan Bajeviqi, ishte i shtangur nga humbja por i mahnitur nga loja brilante e Fadil Muriqit.

“Loja ishte mjaft cilësore, e fort, tipike kampinale dhe korrekte.

Pa qëllim që Prishtinës t'ia mohoj fitoren, të cilën ajo e dëshiroi më shumë, më duket se nuk kemi qenë të dobët, bile patëm raste të volitshme, jo vetëm për fitimin e një pike, por ndoshta edhe të dyjave. Referi na dëmtoi për një penallti të pastër.

Edhe një herë u binda se Fadil Muriqi është lojtar i kalibrit të lartë, jo pse ai shënoi tri herë, por se nga ai fillonin dhe përfundonin të gjitha aksionet e Prishtinës.

Sikur të luante Vokrri, ai për pesë herë do të ishte më i rrezikshëm, kështu që ne do të ishim para sprovave shumë më të mëdha.

Mund të them se Muriqi meriton fanellën numër dhjetë të reprezentacionit tonë shtetëror”, kështu deklaroi Bajeviq pas ndeshjes (më 30 mars të vitit 1986).

Pas javës së 22-të, Prishtina renditej në vend të petë me 24 pikë e Velezhi në të tretin me 27 sosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat