Talenti gjerman zbulon favoritët e Euro 2024

Futboll

Talenti gjerman zbulon favoritët e Euro 2024

Më: 24 prill 2024 Në ora: 16:15
Gjermania

Jamal Musiala u ndal tek Euro 2024 në një rrëfim për spanjollen Marca. 21-vjeçari është kthyer në një nga pikat më të forta te Bayerni dhe kombëtarja gjermane.

Si skuadrën më të fortë sheh Francën, ndërkohë që ndalet edhe tek ekipi i tij, por pa dashur të kalojë në eufori, pavarësisht se Europiani do të zhvillohet në shtëpi dhe tifozët presin maksimumin.

“Me shumë mundësi, Franca është kandidatja kryesore për fitimin e Euro 2024. Më pas vjen Anglia, me shumë futbollistë të mëdhenj. Por edhe ju spanjollët keni futbollistë të mëdhenj.

Do të jetë një Europian interesant, sepse gjithmonë dalin një apo dy skuadra surprizë në kompeticione të tilla. Europiani është një mundësi e artë për çdo Kombëtare.

Gjermania? Me të gjitha cilësitë që kemi dhe atë që trajneri Nagelsmann mund t’i japë secilit lojtar falë këshillave të tij të thjeshta, ne mund të ëndërrojmë.

Por gjithashtu mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, duke u përpjekur të krijojmë një atmosferë sa më të mirë.

Shumë skuadra kanë bërë më mirë se ne gjatë viteve të fundit. Kështu që ne duhet t’i hedhim hapat një nga një. Të shohim se sa larg do të shkojmë”, theksoi talenti gjerman.

Gjermania është pjesë e grupit A bashkë me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën. Pikërisht përballë skocezëve, vendasit do të luajnë takimin hapës të Euro 2024, në datën 14 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat