Shehi ka gati planin për Tiranën

Futboll

Shehi ka gati planin për Tiranën

Më: 25 prill 2024 Në ora: 14:58
Partizani

Partizani ka vijuar dje përgatitjet për derbin e së dielës, që duhet thënë se do ta gjejë shumë më të freskët se kundërshtari për shkak se Tiranës iu desh dje të luante gjysmëfinalen e Kupës, ku u eliminua nga Kukësi.

Trajneri Orges Shehi i ka të gjithë lojtarët të gatshëm, çka është një tjetër avantazh për skuadrën e kuqe, që për këtë ndeshje ka arritur të rikuperojë Andi Hadrojn. Por siç dihet, David Atanaskoski do të jetë vetëm një tifoz në këtë derbi, sepse ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe do të jetë i pezulluar.

Dje skuadra ka kryer stërvitjen e radhës, ku përveç aktivitetit të zakonshëm, disa nga lojtarët u vendosën edhe mes shtyllave për të testuar aftësitë e tyre si portierë.

Më së shumti ky moment ishte për të ulur ngarkesën dhe tensionin që mbizotëron në këtë fund sezoni. Sa i përket formacionit, nuk pritet që Shehi të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e fundit me Dinamon, nisur nga fakti që gjërat shkuan siç duhej. Buxhelaj me shumë mundësi do të luajë në vend të Atanaskoskit.

Dilema e vetme është sulmi, aty ku Skuka dhe Mba janë në balotazh për një vend. Skuadra e kuqe prej 10 ditësh stërvitet me dyer të mbyllura, duke eliminuar çdo kontakt me mediat apo tifozët që kërkojnë t’i shohin në stërvitje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat