Brdariç: Duam revanshin ndaj Egnatias

Futboll

Brdariç: Duam revanshin ndaj Egnatias

Më: 26 prill 2024 Në ora: 19:25
Brdariç - majtas

Në prag të periudhës së tij të dytë tek Vllaznia, Thomas Brdariç foli fjalët e para si nr.1 i kuqebluve. Largimi i papritur i Qatip Osmanit, u pasua nga emërimi i një njohje të vjetër për ambientin shkodran, që në këtë fazë të fundit të sezonit dhe me ”Final Four” vetëm disa javë larg, synimi për rikthimin tek titulli kampion pas më shumë se dy dekadash është madhor.

“Jam shumë i lumtur që jam sërish këtu

Dua të falënderoj trajnerin Qatip Osmani, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer duke pozicionuar skuadrën në vendin e dytë. E tillë është jeta.

Gjërat ndodhin shumë shpejt. Vendimi për të ardhur këtu ishte plotësisht zemre, për shkak të të kaluarës së bukur që kam me këtë skuadër.

Sidoqoftë, në javët e ardhshme nuk kanë rëndësi vetëm momentet e bukura, por më shumti mbërritja në ”Final Four” dhe fitimi i titullit kampion.

Largimi i mëparshëm nga Vllaznia?

Të gjithë bëjnë gabime. Unë gaboj.

Ndiej keqardhje për disa vendime, për disa jo. Unë nuk shoh mbrapa, kjo është jeta dhe unë jam pozitiv. Kam pasur marrëdhënie të mira me presidentin Xhaferi. Tani është kapitull i ri, i jam mirënjohës që jam këtu përsëri me tifozët, me klubin, me ekipin, që të arrijmë objektiva të mirë në javët e ardhshme”, tha kroato-gjermani.

Ndeshja e parë për 49-vjeçarin do të jetë menjëherë ndaj Egantias në kampionat. Pas eliminimit të dhimbshëm nga Kupa, kuqeblutë do te kenë shansin për t’u hakmarrë, tashmë me një ndryshim të rëndësishëm në stol. Brdariç i vlerësoi rrogozhinasit për sezonin e shkëlqyer që kanë zhvilluar, por theksoi që mes kryesuesve të kampionatit dhe ekipit shkodran nuk ka diferenca.

”Skuadra ka cilësi. Në fund të duhet edhe fat për të fituar ndeshjet, por edhe besimi që lojtarët duhet të kenë në vete është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi në kondicion të mirë fizik dhe ky është aspekti ku do të fokusohemi në javët në vijim.

Egnatia ka bërë një sezon fantastik. Sigurisht do të bëjmë maksimumin për të fituar. Nuk kemi diferenca, por duhet të punojmë shumë që të shkojmë në atë pozicion. Synoj që t’i jap skuadrës identitet, por në këtë pikë ku ndodhemi tani nuk ka shumë kohë. Duhet të punojmë shumë dhe të fitojmë ndeshjen e ardhshme që të sigurojmë vendin në “Final Four”.

E kam parë ndeshjen e fundit me Egnatian në Kupën e Shqipërisë, ishte takim i ekuilibruar, por në sfidën e fundjavës në kampionat duam revansh. U kam thënë lojtarëve që dua të përmirësoj këdo në skuadër dhe nuk duhet të mendohemi shumë, t’i japim ekipit motivim, të punojmë e ndërtojmë strategjinë e duhur për ndeshjen e ardhshme”, theksoi Brdariç.

Aventura e parë e Thomas Brdaric me 9-herë kampionët e Shqipërisë zgjati nga 10 gushti i 2020 deri më 14 marsin e 2022. Gjermani e udhëhoqi ekipin shkodran në 77 ndeshje, ku fitoi 39 ndeshje, barazoi 21 dhe humbi 17. Ndërsa koleksionoi edhe Kupën e Shqipërisë dhe humbi një titull kampion për shkak të diferencës së golave ndaj Teutës.

Pas Vllaznisë, Brdariç drejtoi Chennaiyin në Indi dhe Al-Arabin në Kuvajt. Sidoqoftë, 49-vjeçari rikthehet për misionin e papërfunduar për titullin kampion me Vllazninë në kampionatin shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat