Partizani dhe Tirana për të dytin sezon radhazi janë së bashku në garë për titullin kampion, por ndryshe nga vjet, kur e mbyllën sezonin me pikë të barabarta, rrugëtimi i këtij viti ka më shumë disbalanca.
Mund të themi se numrat tregojnë për dy skuadra të kundërta.
Nisim nga mbrojtja, ku Tirana renditet si e dyta më e dobët, me 46 gola të pësuar.
Vetëm Kukësi i vendit të fundit ka pësuar më shumë sesa bardheblutë.
Nga ana tjetër, Partizani është difensiva më e mirë, me vetëm 28 gola të pësuar.
Në sulm janë bardheblutë, që baraspeshojnë gjërat, pasi kanë shënuar plot 52 gola dhe janë sulmi më i mirë.
Partizani ka shënuar 43 gola gjithsej, larg rivalëve të qytetit dhe Egnatias (50).
Në këtë aspekt mund të themi se ky është derbi i shifrave të kundërta, ku mbrojtja më e mirë ndeshet me sulmin më produktiv.