Partizani lë jashtë “Final 4” Tiranën

Futboll

Partizani lë jashtë “Final 4” Tiranën

Më: 28 prill 2024 Në ora: 22:06
Partizani

Festë e kuqe në “Air Albania”. Duhej një hero senegalez si Maguette, që Partizani të triumfonte 2-1 në derbin e katërt sezonal të kryeqytetit, duke lënë jashtë “Final4”, të paktën për momentin, një rivale historike si Tirana.

Numri 14 i të kuqe hapi dhe mbylli rezultatin e një përballjeje të zjarrtë dhe emocionuese, ku pati nga gjashtë kartonë të verdhe e nga dy të kuq për secilën skuadër, me Partizani e për atë që ofroi në fushë, sidomos në pjesën e dytë, e meritoi fitoren.

Derbi nisi (9’) me një pretendim për 11-metërsh nga Rrapaj, por Hamitaj e konsideron të rregullt ndërhyrjen e Micit.

Në të 13-tën ka një penallti në lëvizje për Rimal Haxhiun, por topi shkon mbi tra.

Ndizet festa e të kuqve në “Air Albania” pas vetëm çerek ore lojë. Derbi zhbllokohet me një gol fantastik i Maguette nga distanca, i ndihmuar edhe nga një devijim i topit.

Pak minuta më vonë, Cara shfaq probleme fizike dhe lë lojën për t’i bërë vend në fushë Kekos.

Fati është me Partizanin në të 27-tën minutë, Kristal Abazaj trondit traversën, topi përplaset në trupin e Pano Qirkos dhe shkon ngjitur me shtyllën.

41’ – Gooooool! Shpërblehet me gol këmbëngulja e Tiranën, Abazaj shtyn me kokë topin drejt rrjetës pas tentativës së Jonuzit, të kthyer nga Qirko, 1-1.

Pas golit të bardhebluve, ndeshja bëhet më e bukur. 39’ Partizani kap në kundërsulm Tiranën, me Rrapajn që godet fort nga distanca, topi i kthyer nga Kozi shkon te Keko, që në një pozicion të volitshëm godet keq.

Moment për Var në minutën e fundit të pjesës së parë.  Hamitaj nxjerr fillimisht kartonin e kuq për Hoxhallarin, për ndërhyrje të ashpër ndaj Kekos, por pas verifikimit të pamjeve në sistemin VAR, anulon kartonin dhe goditjen e lirë për Partizanin.

Pjesa e dytë nis me një moment tensioni mes sulmuesit Patrick dhe Muratajt të Partizanit, që ndëshkohen të dy me të verdhë.

Probleme fizike për Kozin (62’), që kërkon ndihmën e stafit mjekësor. Dy minuta më vonë (64’) Skuka dhe Keko kanë mundësinë për të shënuar, por ndërhyn mbrojtja bardheblu dhe portieri Kozi.

Kombinim i bukur Skuka-Bitsuka në të 74-tën, topi i devijuar nga Hoxhallari shkon në fundore.

Skuka gabon në kontrollin e topit në të 82-tën pas asistit të Hadrojit, humb një mundësi të shkëlqyer për të shënuar.

Hadroj shkakton faull ndaj Latifiit në limitet e zonës në të 84-tën, me të drejtë kartoni i verdhë dhënë nga Hamitaj.

Tri minuta para fundit të kohës së rregullt, Jonuzi merr karton e dytë të verdhë për ndërhyrjen ndaj Maguette, Tirana mbetet me 10 lojtarë.

Në superioritet numerik, Partizani ka forcën dhe qetësinë e duhur për të shkuar sërish te goli. I pabesueshëm Maguette më minutën e tretë shtesë, shënon golin e dytë personal dhe të fitores për Partizanin. Kartoni i dytë i verdhë i Hadrojit, në sekondat e fundit nuk ndryshoi asgjë, Partizani konfirmon dominim ndaj Tiranës në këtë sezon me tri fitore dhe një barazim, ndërsa seria pa fitore për bardheblutë në derbi shkon në shtatë ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat