Debutoi në barazim, Cannavaro: Bologna e kishim studiuar mirë, ia dinim pikat e dobëta

Futboll

Debutoi në barazim, Cannavaro: Bologna e kishim studiuar mirë, ia dinim pikat e dobëta

Më: 29 prill 2024 Në ora: 11:06
Fabio Cannavaro

Fabio Cannavaro debutoi në stolin e Udineses me një barazim mjaft me vlera në transfertën ndaj Bolognës, teksa friulianët u shfaqën një skuadër mjaft solide në fushën e lojës.

E pranoi këtë edhe ish-kampioni i botës me Italisë, i cili pas ndeshjes deklaroi se e kishte studiuar mirë Bolognën dhe se kjo paraqitje mund të jetë një pikë kthese për Udinesen, që lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit italian.

“E kishim studiuar mirë Bolognën gjithë këto ditë dhe ia dinim pikat e forta e ato të dobëta. Bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe me pak kujdes mund të kishim marrë edhe tre pikët. Këto paraqitje më ndihmojnë që të hyj në kokën e futbollistëve për t’i përmirësuar edhe më shumë”, tha Cannavaro.

Testi i radhës për Udinesen do të jetë Napoli, një tjetër kundërshtar i fortë, megjithatë Cannavaro shfaqet optimist se skuadra do të dijë të marrë pikët që i duhen.

“Në aspektin fizik dhe taktik tani mund të ndryshojmë shumë pak gjëra, por mund të punojmë me entuziazmin e futbollistëve. Nëse interpretojmë si duhet ndeshjet dhe qasemi në mënyrën e duhur, atëherë kemi mundësi të marrim pikët që na duhen. Do të provojmë të marrim maksimumin që në ndeshjen ndaj Napolit”, u shpreh Cannavaro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat