Gaz Demi tregon projektin që ka me Orges Shehin

Futboll

Gaz Demi tregon projektin që ka me Orges Shehin

Më: 30 prill 2024 Në ora: 12:43
Orges Shehi

Gazmend Demi ishte i pranishëm në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Elite Show” në “Supersport”. Presidenti i Partizanit ishte përgjigjur pyetjeve të panelit në studio. Kreu i klubit kryeqytetas është shprehur se fitorja në derbi nuk i shijon ndryshe nga fitoret e tjera, ndërsa thekson se do të dëshironte të përballej sërish me Tiranën në “final four”.

Demi tregon se synimi i tij është të arrijë suksesin e Skënderbeut në vitet e tij të arta, si dhe shpreson që së shpejti Shehi të guxojë dhe të aktivizojë në fushë edhe talente 17-vjeçarë.

“Që të jem korrekt dhe i sinqertë, derbi, jo vetëm për mua, por për të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët është gjëja më e bukur. Do të jem shumë i gëzuar nëse do të kemi fatin të bëjmë një derbi tjetër. Ndoshta ose për finalen e madhe, ose për gjysmëfinale. I uroj Tiranës fat. Është në momente të vështira.

Për mua nuk ka asnjë shije tjetër fitorja me Tiranën. Një shije normale. E njëjta shije si të fitoj me Flamurtarin. Normale që dashamirësit kanë më tepër entuziasëm. Për mua është bërë rutinë kjo punë. Kam fituar shumë derbi, kështu që nuk do të rri të mbaj entuziasëm për këtë ndeshje. Por prapësëprapë e festuam në darkë me Shehin, pimë pak uiski.

Ju e dini se si e mora unë Partizanin. Ishte vetëm një stemë. Duhet të punonim edhe për titullin kampion, por edhe për të bërë këto investimet e tjera që kemi bërë. Kush është biznesmen e di se sa shkon një hotel me 4400 metra katrorë dhe me 48 dhoma, sepse ne po punojmë edhe për akademinë. Do të kisha dëshirë që të arrija Korçën, që mori titullin kampion 4-5 herë rresht dhe që arriti dy herë në grupet në Europë. Kjo do të ishte arritje e madhe.

Ka qenë një bashkëpunim i stafit. Ramë dakort që të punojmë me talente dhe mosha mesatare të mos i kalojë 21-23 vjeç. Unë kam qejf, Shehi e ka në dorë këtë, që të kemi disa çuna 17-vjeçarë. Madje dje i bëra shaka: ‘Kur do i fushësh këta 17-vjeçarët’. Flitet që janë lojtarë shumë të mirë. Këta trajnerët tanë janë akoma të trembur. Por shumë shpejt do të arrijmë që të furnizohemi gjithmonë vetëm nga akademia jonë”, ka thënë Gazmend Demi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat