Kukësi, Kupa për ta mbyllur sezonin me nder

Futboll

Kukësi, Kupa për ta mbyllur sezonin me nder

Më: 30 prill 2024 Në ora: 16:12
Kukësi

Kukësi do të luajë edicionin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Skuadra verilindore u rikthye në nivelin e dytë të futbollit në vend pas 12 vitesh në elitë.

Megjithatë, skuadra kuksiane ka mundësinë që fundin e këtij edicioni ta mbyllë me një trofe, pasi ka siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 14 maj, në stadiumin “Air Albania”.

Të besuarit e Bledar Devollit do të luajnë me Egnatian në finale, e fokusi i verilindorëve do të jetë pikërisht te kjo sfidë. Në tri javët e fundit, gjasat janë që Kukësi t’u japë hapësira lojtarëve që nuk kanë pasur shumë aktivizim gjatë kampionatit, në mënyrë që të nisin përgatitjen për sezonin e ri.

Kukësi e ka fituar dy herë Kupën, ndërkohë që në 2 raste të  tjera është mundur në finale.

Verilindorët nuk duhen nënvlerësuar aspak, pasi kanë arritur që të largojë nga gara dy skuadra pretendente si Partizani dhe Tirana.

Përveç prestigjit, Kukësi e kërkon Kupën edhe për të arkëtuar një shumë të konsiderueshme, pasi fitimi i këtij trofeu ka një shpërblim nga Federata Shqiptare e Futbollit prej 50 milionë lekësh, ndërkohë që të jep mundësinë për të luajtur në turin e parë të Conference League-s, çka sjell më shumë se 100 mijë euro të ardhura dhe nga pjesëmarrja në arenën ndërkombëtare.

Në finale Kukësi gjen Egnatian, skuadrën fituese në fuqi të këtij kompeticioni, por dhe një prej ekipeve që këtë sezon nuk ka mundur t’i marrë asnjë rezultat pozitiv, pasi rrogozhinasit kanë i fituar të gjitha (katër) ndeshjet në kampionatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat