Cikli i Interit nuk është ende në gjysmë

Futboll

Cikli i Interit nuk është ende në gjysmë

Më: 30 prill 2024 Në ora: 17:31
Interi

“Cikli i Interit nuk është ende në gjysmë”, deklarata e administratorit të deleguar të klubit Beppe Marotta paralajmëron një merkato me ambicie për Interin, pavarësisht kufizimeve financiare. Në klubin zikaltër duan një goditje të madhe në sulm, dhe emri kryesor në listë është ai Joshua Zirkzee.

Për holandezin e Bologna-s nevojiten rreth 60 milionë euro, e madje nuk është e thënë të mjaftojnë.

E sigurt është që si drejtuesit ashtu dhe Inzaghi nuk duan të përballen sërish me rreziqet që patën këtë vit, kur fatet e sezonit zikaltër , të paktën në fazën sulmuese vareshin vetëm nga Thuram e Lautaro.

Tek Inter nuk duan të jenë më vetëm me 2 sulmues të nivelit të lartë. Është marrë ndërkohë për vitin e ardhshëm Taremi, por plani është ai për të ndërtuar dy dyshe sulmi të nivelit të lartë. Inter sezonin e ardhshëm në teori mund të luajë deri në 69 ndeshje. Për të zgjatur jetën si në kampionat ashtu dhe në Europë, objektivi është një sulmues klasi, dhe për Zirkzee klubi zikaltër mund të luajë edhe një xholi të rëndësishëm, duke futur në tratativë Fabbian.

Në sulm Inter është i destinuar t’i japë lamtumirën Sanchez, të cilit nuk do t’i rinovohet kontrata në skadencë. Arnautoviq me shumë mundësi do të qëndrojë, pavarësisht se rendimenti i tij ka qenë shumë poshtë pritshmërive.

Ndaj austriakut kishin shfaqur interes dy klube arabe në janar, por tratativat nuk patën sukses.

Është pastaj dhe kapitulli Correa që mund të qëndrojë në Francë vetëm nëse Marseja fiton Europa League, pra me shumë gjasa do të kthehet në Milano.

Për të duhet gjetur një sistemim pasi vështirë të imagjinohet se do të qëndrojë te Interi i së ardhmes. Interi kërkon të rrisë nivelin, do një skuadër dominuese në Itali dhe sezonin e ardhshëm, dhe që të mund të tentojë edhe Europën. Për këtë arsye kanë prenotuar që më parë Taremi e Zielinski, me dëshirën që festa të mos ketë përfunduar të dielën mbrëma në Milano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat