Kroos kthehet për herë të tretë në Mynih

Futboll

Kroos kthehet për herë të tretë në Mynih

Më: 30 prill 2024 Në ora: 17:59
Toni Kroos

Vera e vitit 2014 ishte për Toni Kroosin (ishte 24 vjeç) një moment lumturie dhe ndryshimi që do t’i sillte shumë suksese nga atëherë e deri më sot. Kampioni i freskët i botës përgatiti valixhet për në Spanjë dhe la pas tetë vite përvojë te Bayerni.

Pjesa tjetër është historia e një prej blerjeve më fitimprurëse në historinë e klubit mbretëror. 25 milionë euro për të cilat me kalimin e kohës në Mynih u penduan, ndërsa në Valdebebas i konsiderojnë si “të holla” apo para xhepi.

Brenda klubit bavarez në fillim supozuan se kishin bërë atë që duhej. “Kroos nuk donte të rinovonte. Ai do të kishte qenë i lirë në vitin 2015 pa pasur nevojë të paguante asnjë klauzolë lirimi.

Prandaj, transferimi i tij i hershëm ishte vendimi i duhur”, tha Karl Hopfner, atëherë president i Bayernit, disa javë pas operacionit.

Vite më vonë, vlerësimi ishte i ndryshëm: “Ishte një gabim që e lamë të largohej”, pranoi në 2018 Matthias Sammer, drejtor sportiv në kohën e operacionit.

Menaxheri i Kroosit, Volker Struth, kujtoi sekuencën e ngjarjeve në vitin 2021. “Që nga shtatori 2013, Bayern dëshironte të zgjaste kontratën. Ata i ofruan gjashtë milionë në sezon. Por e dija që po i paguanin 10 milionë Götzes. Kështu që ne kërkuam të njëjtën gjë, 10 milionë.”

U vu në jetë skenar që i hapi rrugën transferimit të tij në “Bernabéu”: shkarkimi i David Moyes si trajner i Manchester United. Kontrata e gjermanit me klubin nga “Old Trafford” ishte gati, mungonte vetëm firma e Tonit.

Dhe kështu Kroos përfundoi te Reali, duke shkruar faqe lavdie si lojtar i klubit më të suksesshëm në botë. Dhjetë sezone, 459 ndeshje dhe 21 trofe, duke përfshirë katër Champions League (ai kishte fituar më parë një tjetër me Bayernin).

Sonte do të jetë vizita e tij e tretë me Madridin në atë që ishte shtëpia e tij (fitoi 1-2 dy herët e mëparshme). Tani, i zhytur në dyshimin nëse do të vazhdojë edhe një vit duke diktuar ritmin e lojës së ekipit të Ancelottit, ai kërcënon sërish ish-skuadrën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat