Milimetrat na ndajnë nga një surprizë e madhe në futbollin anglez, ndodh pas 22 vitesh

Futboll

Milimetrat na ndajnë nga një surprizë e madhe në futbollin anglez, ndodh pas 22 vitesh

Më: 1 maj 2024 Në ora: 09:25
Ipswich Town mposhti Coventryn me rezultat 2:1

Sezoni në kategorinë e dytë të futbollit anglez është në fund dhe nga e marta edhe një skuadër tjetër është gati të ngjitet direkt në Premier Ligë.

E ky klub do të shkaktonte një surprizë të madhe.

Të martën në mbrëmje, Ipswich Town mposhti Coventryn me rezultat 2:1 si mysafire dhe kështu iu afrua për “një milimetër” promovimit në elitën e futbollit anglez.

Kiefer Moore shënoi në minutën e 8-të dhe Cameron Burges në minutën e 69-të për fitoren e Ipswichit mbrëmë, ndërsa shënuesi i vetëm për vendasit ishte Haji Wright në minutën e 64-të të lojës.

Më herët, Leicesteri siguroi titullin dhe vendin e parë dhe tashmë me këtë fitore, Ipswichi iu largua me tri pikë Leeds-it të vendit të tretë, kështu që në xhiron e fundit i mjafton vetëm një pikë për të siguruar pozitën e dytë dhe ngjitjen direkt në Premiership.

Kjo do të ishte një surprizë e madhe, sepse para sezonit absolutisht askush nuk e ka parë Ipswich-in në luftën për dy vendet e para në ligë, pasi ky klub sapo është ngjitur në Championship nga divizioni i tretë i Anglisë.

Kieran McKenna, njeriu që ishte ndihmës i Ole Gunnar Solskjaer kur norvegjezi drejtonte Manchester United, po e çon ekipin drejt suksesit.

Pikërisht nga United, Ipswich në fillim të sezonit solli dy përforcime të rëndësishme. Ata huazuan të riun Brandon Williams dhe nënshkruan me Axel Tuanzebe.

Ipswich ishte kampion i Anglisë në 1962, dhe ra nga Premiershipi në sezonin 2001/02, e që atëherë nuk është kthyer më në mesin e më të mirëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat