Mullerit i duhen vetëm dy ndeshje për të kaluar Xavin

Futboll

Mullerit i duhen vetëm dy ndeshje për të kaluar Xavin

Më: 1 maj 2024 Në ora: 13:48
Thomas Muller

Thomas Muller ka luajtur mbrëmë kundër Real Madrid ndeshjen e tij të 150-të me Bajernin e Mynihut në Champions League. Një rrugëtim i gjatë, i nisur më 10 mars 2009, në ndeshjen kundër Sportingut të Lisbonës.

Në minutën e 71-të, në rezultatin 4-1 për bavarezët, 19-vjeçari zëvendësoi Bastian Schweinsteiger dhe 18 minuta më vonë shënoi golin e shtatë për Bajernin dhe të parin personal në Champions League.

16 sezone më pas, lojtari është shndërruar në legjendë jo vetëm i skuadrës bavareze, por edhe i kompeticionit. Me ndeshjen e së martës, ai u barazua me portierin legjendar të Realit, Iker Kasijas, për ndeshjet e luajtura në Champions League me një klub të vetëm. Sipër tyre, qëndron një tjetër legjendar, Xavi Hernandez, që me ngjyrat e Barcelonës luajti 151 ndeshje në Champions.

Nga 150 ndeshjet, gjermani ka qenë 115 herë titullar dhe ka shënuar 54 gola, përfshirë edhe një në finalen e humbur me penallti më 2012 kundër Chelseat.

Mullerit i duhen vetëm dy ndeshje për të kaluar Xavin e për të vendosur rekordin për paraqitjen në Champions vetëm me fanellën e Bajernit.

Një objektiv plotësisht i arritshëm, në mos në këtë sezon, në atë të ardhshmin, pasi Myler ka rinovuar kontratën edhe për një vit duke hyrë në grupin e legjendave si Maldini apo Totti që mbajtën vetëm një fanellë gjatë gjithë karrierës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat