Bëhet spanjolli i tretë që shkon në gjysmëfinale

Futboll

Bëhet spanjolli i tretë që shkon në gjysmëfinale

Më: 2 maj 2024 Në ora: 19:00
Rezultatet

Gjysmëfinalet e para të Champions League dhuruan spektakël, por edhe disa shifra interesante nga protagonistët në fushë. Real Madrid në sezonin më të mirë nga 2017, ndërsa Vini, Kane e Sancho arrijnë numra mbresëlënës. Këto e të tjera në kronikën në vazhdim.

Dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Champions League, Bajern-Real Madrid dhe Borussia Dortmund-PSG, dhuruan spektakël e mbi të gjitha lanë gjithçka hapur për ndeshjet e kthimit. Ndërkohë, skuadrat dhe disa prej protagonistëve të tyre në fushë patën disa arritje mbresëlënëse.

Penalltia e Vinicius në Mynih bëri që Real Madrid të jetë i pamposhtur në 11 ndeshjet e fundit në Champions League, me shtatë fitore e katër barazime, seria më e mirë që nga maji 2017 kur nuk mundeshin në 15 ndeshje radhazi, me 10 fitore e 5 barazime. Vini Zhunior ka shënuar të paktën dy gola në një ndeshje të vetme për të 13-tën herë në të gjitha kompeticionet, nga këto pesë herë gjatë këtij kompeticioni dhe e katërta herë që e bën në Champions League.

Ai shënoi golin e parë pas një pasimi fantastik nga Toni Kroos. Gjatë pjesës së parë, veterani madrilen dha 15 pasime që thyen linjat e kundërshtarit, të paktën 10 më tepër se çdo lojtar tjetër në fushë. Individ i spikatur në fushë ishte edhe anglezi i rilindur Jadon Sancho i Borussias së Dortmundit, me 12 driblime të suksesshme kundër Paris SG.

Është shifra më e lartë në një gjysmëfinale që kur Leo Mesi i Barcelonës kreu 16 driblime kundër Manchester United më 2008. Dortmund ndërkaq arriti ta ruante portën të paprekur për të pestën herë në Champions League këtë sezon, më tepër se çdo skuadër tjetër. Kjo bëri që Paris SG të pësonte humbjen e parë të sezonit, në të gjitha kompeticionet, pa shënuar asnjë gol. Francezëve iu mungoi edhe fati kur goditën dy herë shtyllat.

Këtë sezon në Champions League i kanë goditur 10 herë shtyllat, më tepër se kushdo. Vetëm Barcelona, me 11 në sezonin 2011-12 ka goditur më tepër shtylla brenda një sezoni në 20 vitet e fundit.

Trajneri i parisienëve, Luis Enrike, bëhet spanjolli i tretë që shkon në gjysmëfinale me një skuadër të huaj.

Para tij kanë qenë Rafa Benitez, tri herë me Liverpulin, dhe Pep Guardiola, tri herë me Bajern dhe po aq me Manchester City. Mbape vazhdon të kryesojë listën e golshënuesve me tre gola, por tani baraz me Harry Kane, që ka edhe tre asist, duke u bërë anglezi me më tepër kontribute goli në një sezon të vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat