Kukësi gjen motivin, të zbresë Erzenin në fund

Futboll

Kukësi gjen motivin, të zbresë Erzenin në fund

Më: 2 maj 2024 Në ora: 21:35
Kukësi

Kukësi është duke u përgatitur për ndeshjen që do të luajë me Erzenin ditën e shtunë në transfertë. Një sfidë, ku blutë kanë mundësinë të “marrin me vete” në Kategorinë e Parë edhe shijakasit, të cilët nëse munden, bien edhe matematikisht.

Kuksianët nuk janë të privuar nga asnjë lojtar për arsye kartonësh, por kjo nuk do të thotë që trajneri Devolli mund të përdorë të gjithë skuadrën, pasi i druhet ndonjë dëmtimi të mundshëm. Gjithsesi, verilindorët janë duke bërë llogaritë e tyre, ku nga njëra anë të vijojnë denjësisht kampionatin dhe nga ana tjetër të mos i bëjnë ndonjë dëm vetes për finalen e Kupës.

OBJEKTIVI – Edhe pse Kukësi i ka dhënë lamtumirën Superiores, ka ende se për çfarë të luajë në kampionat.

Gjatë gjithë sezonit në Kukës janë përpjekur të tregojnë se nuk janë ata ekipi më i dobët i kampionatit, ndonëse prej shumë javësh kanë mbyllur tabelën e klasifikimit dhe vazhdimisht janë kuotuar si më të rrezikuarit. Gjithsesi, verilindorët nuk duan të largohen nga kjo kategori si vendi i fundit. Më shumë për çështje egoje, ndonëse në fund të sezonit nuk ndryshon asgjë, sepse bileta për në të Parën u pre zyrtarisht javën që lamë pas.

Këtë javë do të kenë pikërisht përballë kundërshtarin e vetëm që mund të lënë pas, Erzenin. Diferenca midis tyre është pesë pikë, por një fitore e të besuarve të Bledar Devollit do ta ngushtonte në dy, kur mbeten edhe dy javë për t’u luajtur akoma. Pikërisht ky synim në këto tre ndeshje të mbetura do të shërbejë si një motiv për të mbajtur ekipin të karikuar, pa harruar se nuk duhet ta ulet ritmi për të qenë gati për në finalen e kupës më 14 maj.

Në rast të një tjetër humbjeje edhe këtë javë, atëherë matematikisht do të rrëzoheshin nga kategoria si skuadra e vendit të fundit. Kukësi e vlerësuar maksimalisht përballjen, njëlloj sikur të ishte një ndeshje vendimtare për fatet e sezonit. Çfarëdo që të ndodhë deri në mbyllje të sezonit, verilindorët nuk i zhbëjnë më dot verdiktet e sezonit, ku duhet të mësohen me idenë se vitin tjetër nuk do të jenë në Superiore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat