Asllani titullar pas titullit

Futboll

Asllani titullar pas titullit

Më: 3 maj 2024 Në ora: 16:38
Asllani

Pas festimeve te jashtëzakonshme për titullin, me mbi 300 mijë tifozë që mbushën Duomon për titullin e dytë, Inter rikthehet në fushë me Asllanin titullar.

Media italiane bën të ditur se mesfushori i kombëtares do të jetë mes 11-shes fillestare në fushë këtë të shtunë në transfertën me Sasuolon, duke regjistruar prezencën e tij të pestë si titullar në këtë sezon të Serie A.

Inzaghi do të aplikojë një rotacion në masë në këtë takim, i vetëdijshëm për ngarkesën e madhe të titullarëve fiks, çka rrit edhe më tepër përgjegjësinë për Asllanin që i duhet të bëjë mirë edhe në një skuadër ku nuk do të jetë ai i vetmi nga të ashtuquajturat linja të dyta që do të jetë në fushë, e për më tepër në një rol vendimtar për ekuilibrat dhe lojën e skuadrës, në regjinë e Inter.

Natyrisht një mundësi për t’u shfrytëzuar kjo për Asllanin, që në kabinën e regjisë do t’i duhet të drejojë orkestrën zikaltër, ku mbrojtja pritet të formohet nga Bisseck, De Vrij e Bastoni, në mesfushë veç tij do të jenë dhe Barella, Fratessi, Dimarco e Darmian, ndërsa në sulm pritet të luajë Lautaro dhe Arnautovic.

Inzaghi kërkon të shfrytëzojë takimet e mbetura për të sinkronizuar lojtarët që kanë luajtur më pak me mekanizmat e skuadrës në këndvështrim të sezonit të ardhshëm, me Asllanin që i gjendur gati sa herë që është thërritur në mision këtë sezon, është një nga elementët që konsiderohen me shumë vlerë te Inter për të ardhmen.

Gjithsesi pavarësisht se Inter i ka mbyllur llogaritë me kampionatin, për tifozët zikaltër dhe ndoshta edhe për skuadrën transferta me Sassuolon konsiderohet një lloj revanshi pasi Sassuolo që në vendin e parafundit, luan një nga ndeshjet e fundit për mbijetesën, është e vetmja skuadër që ka mposhtur Interin në kampionat, në fazën e parë duke krijuar ndoshta momentin më delikat në shtëpinë e Inter në rrugëtimin drejt titullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat