Kampionati Europian i moshës deri në 17 vjeç në futboll për femra, që ka nisur këtë të dielë në Suedi, është një tjetër ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar.
E ndeshja hapëse e këtij turneu, pikërisht Angli – Norvegji për grupin A, ka ardhur në transmetim direkt nga Lund i Suedisë.
Anglezet e kanë dominuar ndeshjen, ndërsa pas një këmbëngulje të gjatë të Braun nga e majta e sulmit gjejnë golin e parë, që mban firmën e Parkinson.
Pas gjashtë minutash është radha e Harbert për të dyfishuar, e cila me një goditje në ecje e sipër, nga rreth 16 metra, e ka dërguar topin në rrjetë. Në fillimin e pjesës së dytë vulos suksesin Braun dhe më pas, kjo deri në vërshëllimën e fundit të gjermanes Mishel, Anglia administron avantazhin.
Përfundimisht 3-0, ndërsa në këtë Europian arbitron dhe asistentja shqiptare, Edjena Kapxhiu, që ishte në ndeshjen e parë të këtij turneu, i cili përfundon më 18 maj. Kampione në fuqi e futbollit të femrave për moshën deri në 17 vjeç është Franca.