Ylber Ramadani ka kaluar problemet shëndetësore që kishte në javët e kaluara dhe i është bashkuar përsëri në fushën e lojës ekipit të Lecces.
Ai ishte titullar në ndeshjen që skuadra e tij barazoi me shifrat 1-1 ndaj Cagliarit, duke iu afruar edhe më shumë mbijetesës në një sezon që ka qenë i shkëlqyer në aspektin personal për mesfushorin kuqezi.
“Dy javë më parë isha në spital dhe nuk isha aspak mirë.
Dua të falënderoj trajnerin dhe klubin që më qëndruan pranë dhe për mbështetjen.
Trajnerit i kam thënë gjithë javën që isha mirë dhe isha edhe mendërisht i gatshëm për t’u kthyer. Isha i përqendruar që të luaja dhe të paraqitesha mirë.
Do të kisha luajtur që një javë më parë ndaj Monzës, pasi për mua është e rëndësishme që të zbres në fushë dhe të jap kontributin tim”, tha mesfushori shqiptar për “DAZN” pas duelit të Serisë A.