Interi “blindon” Barellën

Futboll

Interi “blindon” Barellën

Më: 10 maj 2024 Në ora: 13:19
Barella

Inter-Barella; ja ku jemi. Rinovimi i dakorduar tashmë do ta çojë mesfushorin zikaltër në lartësitë që asnjë italian nuk i ka në Serie A. Marrëveshja për kontratën e re saktëson pagën prej 7 milionë euro në sezon, me bonuse të përfshira. E thënë ndryshe, Barella “shenjtërohet” si zemra e Interit.

Duke folur për listat, Barella ngrihet në krye edhe në listën e italianëve më të paguar në Serie A. Ai do të rinovojë deri në vitin 2029. Alessandro Bastoni e ndjek me 5.5 milionë euro në sezon, ndërsa podiumin e plotëson Federico Chiesa me 5 milionë euro.

Takimet me agjentin e tij, Alessandro Beltrami, nuk zgjatën shumë. Në kokën e Barella ishte gjithmonë Interi dhe kjo ua lehtësonte punën drejtuesve zikakltër.

Para zhgënjimit të jashtëzakonshëm të “Wanda Metropolitano” në Champions League kishte kohë për ballafaqimin e fundit mes palëve, që të arrihej dakordësia e plotë.

Fundjavën e ardhshme, bota e Interit pret zhbllokimin përfundimtar të rifinancimit të kredisë, gjë për të cilën presidenti Steven Zhang po punon prej muajsh që nga Nanchino. Bëhet fjalë për 400 milionë euro huazim nga fondi “Pimco”, gati për të zëvendësuar kolegët e “Oaktree”.

Ky do të ishte “oksigjeni” i duhur për të kryer operacionet e duhura të merkatos. Këto operacione do të startojnë me rinovimet, teksa i pari quhet “Barella 2029”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat