Tebas sulmon FIFA-n

Futboll

Tebas sulmon FIFA-n

Më: 11 maj 2024 Në ora: 12:20
Javier Tebas

“FIFA po kërcënon ligat kombëtare”.

Kjo ka qenë kryefjala e intervistës së Javier Tebas, dhënë për “Tuttosport”.

Presidenti i La Liga-s ka hedhur kësisoji dritë mbi ndikimin e organizmit botëror të futbollit, i cili, me veprime të caktuara po shkakton rrjedhimisht efekte të pafavorshme për turnetë kombëtarë:

“FIFA i përpilon kalendarët pa u konsultuar me ne, nuk shqetësohet fare për ligat. FIFA zë datat dhe dëmton industritë kombëtare të futbollit”.

I njëjti vuri në dukje hendekun gjithnjë e më evident ekonomik mes klubeve që marrin pjesë dhe atyre që nuk marrin pjesë në kupat evropiane.

“Ky është një nga shqetësimet e mia, – pranoi numri një i kampionatit spanjoll, – dhe e kam shprehur prej vitesh.

Ka skuadra më të mëdha, për nga historia dhe potenciali ekonomik, por ne që organizojmë futbollin duhet të ndikojmë që ky hendek natyror të mos amplifikohet dhe zgjerohet shumë, sepse vetë jeta e sistemit industrial të futbollit është në rrezik.

Shpërndarja e parave të krijuara nga garat duhet të menaxhohet, në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Nuk duhet ta ndryshojmë futbollin; Juventusi duhet të mbetet Juventus, Milani, Reali etj., por nuk duhet të lejojmë që hendeku të rritet, sepse do t’i shkatërronte kampionatet kombëtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat