Francezi nuk përmendi dy persona të rëndësishëm

Futboll

Francezi nuk përmendi dy persona të rëndësishëm

Më: 11 maj 2024 Në ora: 13:58
Kylian Mbappe

Kylian Mbappe njoftoi zyrtarisht të premten se do të largohet nga Paris Saint-Germaini në fund të sezonit.

Ky konsiderohet të jetë hapi i parë i bërë nga ylli francez drejt zyrtarizimit te Real Madridi.

Mbappe vendimin e zbuloi përmes një video-mesazhi, në të cilin mes tjerash falënderoi edhe dy nga tre drejtorët sportivë me të cilët ka punuar, Leonardo dhe Luis Campos.

Dy mungesat e dukshme në mesazhin e tij të lamtumirës ishin të rënda. Ai nuk e përmendi fare presidentin, Nasser Al-Khelaifi, dhe drejtorin sportiv, Antero Henrique.

Nga mediat franceze vlerësohet se kjo është një shenjë që tregon se raportet mes kapitenit të Francës dhe Al-Khelaifit ishin të prishura që nga fillimi i sezonit.

Sipas “L’Equipe”, dyshohet se të dy e kanë shmangur njëri-tjetrin gjatë javëve të fundit, duke u thënë se marrëdhënia e tyre ishte aq e keqe sa ata as që donin të përshëndesin njëri-tjetrin.

Henrique nga ana tjetër mbahet përgjegjës për ato që Mbappe beson se janë premtime të thyera nga vera e vitit 2022, kur klubi nuk u angazhua plotësisht në rrugën në të cilën ndodhet tani.

25-vjeçari kishte vendosur javë më parë për largimin nga “Parc des Princes” dhe ishte përpjekur ta mbante sa më sekret. Ai nuk komunikoi me hierarkinë e PSG-së për kohën e njoftimit publik që e bëri mbrëmë, me klubin që u kap në befasi, prandaj nuk kishte asnjë komunikatë zyrtare në rrjetet e tyre sociale apo faqen e klubit.

Presidenti thuhet se nuk u informua nga Mbappe – një tjetër shenjë për tensionimin e raporteve mes tyre – edhe pse sipas “L’Equipe”, Campos paraprakisht ia kishte bërë të ditur.

Dikush nga klubi parisien për gazetën franceze tha se ata tani “ndjehen të lehtësuar” pasi vendimi u bë publik, duke shtuar se “ne mund të vazhdojmë të ndërtojmë një fuqi të re, të disiplinuar, me më pak ego dhe të fokusuar në kolektiv. Ajo që na pret është shumë më pozitive”.

Mbappe te PSG-ja u transferua në vitin 2018 nga Monaco për 180 milionë euro. Ai u bë golashënuesi më i mirë në histori të këtij klubi, teksa fitoi edhe çdo trofe të mundshëm në Francë.

Fituesi i Kupës së Botës pritet që të muajin e ardhshëm të zyrtarizohet te Real Madridi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat