Mezani: Fokus maksimal para tri finaleve të mëdha

Futboll

Mezani: Fokus maksimal para tri finaleve të mëdha

Më: 11 maj 2024 Në ora: 16:19
Gentjan Mezani

Gentjan Mezani, i pari i stolit të skuadrës së Gjilanit, kërkon përqëndrim maksimal nga futbollistët e tij në vigjilje të duelit ndaj Lirisë, i vlefshëm për kampionatin elitar të futbollit të Kosovës.

Mezani kërkon që ndeshjen ta nisin me seriozitetin maksimal dhe futbollistët të mos e neglizhojnë në asnjë situatë këtë ndeshje.

“Mendim i gabuar nëse do të nënvlerësohej Liria. Pavarësisht që ka humbur objektivin është një skuadër që ka vënë në vështirësi gjithësecilen skuadër.

Këto ndeshjet duhet marrë me seriozitetin maksimal, në të kundërtën do jemi në vështirësi. Do të shkojmë me mentalitetin e duhur, me seriozitet dhe vlerësim maksimal për ekipin e Lirisë, pasi që është një ndeshje e radhës, një finale e radhës për ne”.

“Në bazë të lojës që kemi zhvilluar nuk kemi marrë rezultatet e merituara, ndoshta është dashur të jemi më lartë në klasifikim. Po vuajmë dy fazat e para të kampionatit, megjithëse nuk është që nuk luajmë mirë, por na mungon përqendrimi në momente të caktuara, ndoshta edhe duke kërkuar pikët vazhdimisht”.

Të jemi së bashku deri në fund

Rëndësia e ndeshjeve në fundin e kampionatit pa dyshim që kërkon mobilizim nga të gjithë faktorët, ndaj dhe Mezani bën një thirrje të tillë.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, kjo përballje është e rëndësisë së veçantë për shkak të objektivit që kemi për të arritur. Këtë u’a kam bërë të ditur futbollistëve, drejtuesit i kemi prapa, gjithashtu shpresojmë që edhe tifozët deri në fund të kampionatit të na qëndrojnë afër”.

“Nuk mendojmë për pikët dhe ndeshjet tjera përveçse kësaj ndaj Lirisë. Kemi ndeshje të rëndësishme pa dyshim, mirëpo fokusin e kemi vetëm te takimi në Prizren”.

Përballja ndërmjet Lirisë dhe Gjilanit zhvillohet këtë të diel (12 Maj) në “Përparim Thaçi” të Prizrenit nga ora 15.00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat