Mitrovica kampione e Sigal Superligës! Biçkaj: Mendojmë për garat në Ligën e Kampionëve

Futboll

Mitrovica kampione e Sigal Superligës! Biçkaj: Mendojmë për garat në Ligën e Kampionëve

Më: 12 maj 2024 Në ora: 15:34
Trofeun për kapitenen Kaltrina Biqkaj e ndau presidenti Agim Ademi

KFF Mitrovica është kurorëzuar me titullin e kampionit në Sigal Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave.

Ceremonia e dekorimit të kampionit u organizua nga Federata e Futbollit e Kosovës pas ndeshjes së javës së 20-të, ndërmjet Mitrovicës dhe Llapit, e cila u mbyll me fitoren bindëse të mitrovicasve, me rezultat 8:0.

Trofeun për kapitenen Kaltrina Biqkaj e ndau presidenti Agim Ademi, derisa medaljet i ndanë Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja e Ismajl Ajeti, anëtarë të KE të FFK-së, Përparim Drini drejtor gjeneral i Sigalit në Kosovë, Vesa Broja, kryesuese e Asamblesë komunale në Mitrovicë dhe drejtori për sport në këtë komunë, Fahri Jashari.

Të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së kampionit ishin edhe personalitete të shquara të futbollit mitrovicas, si Ajet Shosholli, Rafet Prekazi e Gani Sejdiu.

Për KFF Mitrovicën ky është titulli i pestë i kampionit. Presidenti Ademi ka uruar klubin mitrovicas për këtë sukses. “Përgëzoj drejtuesit e klubit, stafin e trajnerëve si dhe futbollistet e Mitrovicës për titullin e kampionit, me çka dëshmuan edhe një herë se kur ka organizim të mirëfilltë suksesi nuk mungon. Uroj që KFF Mitrovica ta përfaqësojë futbollin tonë denjësisht në Ligën e Kampionëve. Urime Mitrovicë!”, ka shkruar kreu i FFK-së në rrjete sociale.

E kapitenja Kaltrina Biçkaj u shpreh e lumtur që e rikthyen titullin në qytetin e minatorëve:

“Jemi të lumtura pasi e kemi kthyer titullin aty ku e ka vendin.

Ka qenë një kampionat jo i lehtë, ngase kishim dy vjet që nuk e kishim fituar titullin dhe kishim edhe ndërrim të stafit të trajnerëve. Mirëpo, kryesia na ka qëndruar afër dhe ne si grup kemi qenë kompakt.

Tabi do të fillojmë të mendojmë për garat në Ligën e Kampionëve, ku sigurisht do të kemi disa përforcime, pasi synojmë ta kalojmë fazën e grupeve”, tha Biqkaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat