“Kapriçot” e klasifikimit/ Pse Egnatia është e para dhe golat që nderuan Tiranën

Futboll

“Kapriçot” e klasifikimit/ Pse Egnatia është e para dhe golat që nderuan Tiranën

Më: 13 maj 2024 Në ora: 21:08
Foto ilustrim

Egnatia dhe Partizani në vendet 1 dhe 2, por gjithashtu Tirana e Teuta në vendet 5 dhe 6, e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta. Duke u bazuar te kriteri për renditjen, nëse dy ose më shumë skuadra kanë pikë të njëjta, atëherë fillimisht merren parasysh rezultatet direkte mes tyre.

Egnatia dhe Partizani në katër përballjet e kampionatit këtë sezon kanë regjistruar 3 barazime nga 1- 1 dhe një fitore të rrogozhinasve me shifrat 2-1. Kësisoj, Egnatia është më mirë në duelet direkte dhe prandaj pozicionohet e para pas 36 javësh.

Nga ana tjetër, Tirana dhe Teuta kanë një balancë sa u përket ndeshjeve direkte, me dy fitore secila dhe dy barazime.

Mirëpo, kriteri i dytë për klasifikimin, ai për diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes tyre, nderon bardheblutë dhe “djeg” Teutën. Rezultatet 2- 2, 2-0, 2-2 dhe 1-2 kanë prodhuar sfidat mes tyre dhe një gol i shënuar në përballjen e fazës së katërt, ka bërë që Tirana të bëjë diferencën me golavarazhin total 7-6 në favor.

Edhe nëse në këtë pikë do të kishte barazi mes skuadrave, sërish Tirana do të kalonte më tej me kriterin e tretë për klasifikimin, që është diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin 2023- 2024. Fakt është që bardheblutë këtë sezon janë ekipi që shënoi më shumë, 56.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat