​Duraku: Bashkëpunimi Shqipëri-Serbi erdhi për shkak të raporteve të mira Rama-Vuçiq

Futboll

​Duraku: Bashkëpunimi Shqipëri-Serbi erdhi për shkak të raporteve të mira Rama-Vuçiq

Më: 14 maj 2024 Në ora: 11:34
Fahredin Duraku

Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për të kandiduar bashkë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit për grupmoshat U21 është pritur me reagime dhe kundërshtime të mëdha në Kosovë, kjo për shkak të raporteve jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një hap i tillë është konsideruar shumë i ngutshëm dhe befasues nga njohësit e rrethanave sportive në Kosovë.

Analisti dhe trajneri i futbollit Fahredin Duraku ka thënë se ky lajm nuk është i mirëseadhur sidomos kur dihet rrethanat mes dy shteteve, derisa ka shtuar se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të marrëdhënieve të mira ndërmjet Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Duraku: Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë i papranueshëm

“Ky aplikim për Kampionatin Evropian U21 të luhet së bashku në Shqipëri dhe në Serbi për ne nuk është i mirëseardhur. Mirëpo, prapë se prapë duke shikuar anën tjetër ku janë dy elemente kryesore që kanë përfitime edhe Shqipëria edhe Serbia, do të thotë duke marrë parasysh se në aspektin politik kryeministri i Shqipërisë e dimë çfarë marrëdhënie ka me kryetarin e Serbisë, gjithashtu Armand Duka tani është shpallur si nënkryetar i UEFA-së dhe ato marrëdhëniet ndërmjet Ceferinit dhe Armand Dukës janë çdo ditë më të mira...(02:13). Këtu në Kosovë nuk është pritur mirë si në aspektin politik edhe në atë sportiv duke e ditur që Serbia ka bërë një gjenocid shumë të madh këtu te ne”, tha Duraku.

Nga ana tjetër, gazetari nga Shqipëria, Erjon Halili ka thënë se ky bashkëpunim duhet të shihet më shumë nga ana sportive pas dy shtete vetëm do ta ofrojnë infrastrukturën e tyre sportive për ta organizuar një eveniment të madh evropian të futbollit.

Halili: Nuk është bashkëpunim i mirëfilltë, thjeshtë ofrim i stadiumeve

“Arsyet i shpjegoi më së miri presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Vendet e Ballkani Perëndimor asnjëra nuk e kanë kapacitetin që të vetme ta organizojnë një event të tillë. Do të ishte mirë që të organizohej ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, por siç e tha edhe kreu u FSHF-së ishte e pamundur për infrastrukturën që Kosova ka momentalisht dhe sigurisht që do të shkaktonte shumë debat një vendim i tillë pasi jo vetëm historia e largët po edhe vitet e fundit dihen raportet mes dy popujve, të Shqipërisë dhe të Serbisë, por unë do të preferoja që ta shikoja më shumë si një vënie në dispozicion të stadiumeve, nuk është se është një bashkëpunim i mirëfilltë më shumë se sa Shqipëria ofron ato katër stadiume të veta, Serbia të vetat për ta organizuar një event madhor”, theksoi Halili.

Por, sipas Durakut, Federata e Futbollit të Kosovës duhet të bëjë gjithçka për ta bindur FSHF-në që Evropiani i grupmoshave U21 të mos organizohet në bashkëpunim me Serbinë.

Duraku: FFK dhe shteti të reagojnë fuqishëm kundër këtij organizimi

“Kosova automatikisht menjëherë duhet të reagojë, të gjejë arsye dhe të jetë ajo e cila do ta pengojë të formohet ky organizim. Mirëpo, sa do të ketë kapacitet federata jonë apo shteti, si do të reagojë, për çfarë arsye duke e ditur se ne jemi vëllezër. Për atë arsye, them që Shqipëria ka bërë një gabim të madh, nga ana ime duhet të shqyrtohet me rajonin këtu...Shumë tifogrupe janë kundër, shumë njerëz, populli ynë kosovar janë kundër këtij organizimi...Është një gjë negative për ne, mirëpo prapë se prapë UEFA dhe FIFA i shohin gjërat ndryshe nga se ne që i shohim sepse e dimë që Serbia ka bërë një gjenocid këtu”, theksoi Duraku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat