Që kur u caktuan katër skuadrat pjesëmarrëse në “Final 4”, nisën llogaritë dhe një nga avantazhet më të mëdha që i atribuohet Partizanit është fakti se ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania”, që konsiderohet si shtëpi e dytë për kryeqytetasit, pas “Arenës së Demave”.
Fakti që ndeshjet luhen në Tiranë dhe se tifozët e Egnatias, Vllaznisë dhe Skënderbeut e kanë më të vështirë të ndjekin sfidën në stadium, u jep avantazhin të kuqve të kenë më shumë tifozë.
Por përveç kësaj, është edhe një tjetër statistikë që ndihmon “demat”. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi është më produktivja në shtëpi.
Në 18 ndeshje të luajtura në kryeqytet Partizani ka arritur të grumbullojë 36 pikë, më shumë se të gjithë, me një mesatare prej 2 pikësh për çdo 90 minuta.
Të kuqtë kanë sulmin më të mirë në shtëpi (30 gola), teksa për mbrojtjen i parakalon vetëm Skënderbeu, kundërshtari i gjysmëfinales. Korçarët kanë pësuar 11 herë, tre më pak se “demat”.
EGNATIA – Nëse Partizani shkëlqen në shtëpi, Egnatia e bën jashtë, çka gjithashtu tregon se “demave” u vërtitet rrezik përreth. Shijakasit kanë grumbulluar plot 32 pikë në ndeshjet jashtë, më shumë se çdo rival tjetër. Në këtë renditje “demat” janë të tretët me 27 pikë të grumbulluara.
Në “Final 4” rrogozhinasit luajnë larg shtëpisë dhe do të provojnë të shfrytëzojnë këtë pikë të fortë.