Flamurtari ja doli mbanë të sigurojë ndeshjen e play off-it e vlefshme për kampionatin “Abissnet Superiore” pasi mposhti Apoloninë në stadiumin “Elbasan Arena” vetëm nga penalltitë me rezultatin 4-3.
Koha e rregullt e finales së play off-it të Kategorisë së Parë Flamurtari – Apolonia, u mbyll në barazim 0-0.
Skuadrat ishin të kujdesshme për të mos pësuar gol, teksa vlonjatët nga minuta e 76-të luajtën me 10-të lojtarë pas daljes me të kuq të Frashërit.
Edhe shtesa nuk prodhoi asnjë gol, ndërsa gjithçka u vendos nga penalltitë, aty ku Flamurtari fitoi 4-3
Tashmë fokusi është te ndeshja e play off-it për kampionatin “Abissnet Superiore” Laçi – Flamurtari, që do të përcaktojë se kush nga këto dy skuadra do të luajë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.
Ndeshja e play off-it për kampionatin “Abissnet Superiore” Laçi – Flamurtari, do të zhvillohet më datë 19 maj në orën 16:00, në stadiumin e Laçit.